Të hënën ka përfunduar afati kalimtar veror i shit-blerjes së lojtarëve dhe shumë klube kanë dështuar për t’i kapur objektivat e tyre për shkak të rënies ekonomike që erdhi për shkak të pandemisë Covid-19.

Kësaj situata nuk i ka shpëtuar as gjiganti i La Ligas, Barcelona, e cila nuk arriti që t’i përmbushte kërkesat e trajnerit Ronald Koeman për përforcimin e skuadrës për sezonin 2020/21.

Në fakt, Memphis Depay dhe Gini Wijnaldum ishin dy kërkesat kryesore të Koeman, por që asnjëra nuk u realizua.

Për Wijnaldum, marrëveshja kishte dështuar para disa javësh sepse Liverpooli nuk u pajtua me largimin e tij, ndërsa për Depay dukej se gjithçka ishte mbyllur. Madje, ishte drejtori sportiv i Lyonit, Juninho ai i cili kishte konfirmuar se lojtari ka marrëveshje me Barcelonën dhe do të largohet drejt “Camp Nou”, por as kjo në fund nuk u bë realitet.

Arsyeja kryesore e dështimit të këtij operacioni ishte mos kalimi i Ousmane Dembeles te Manchester United që do t’i krijonte hapësirë sulmuesit holandez në “Camp Nou”

Kjo situatë nuk i ka pëlqyer aspak trajnerit Ronald Koeman i cili kishte pritur më shumë ndërhyrje në merkato për ta freskuar ekipin e tij.