Komiteti Olimpik i Kosovës sot ka pranuar ftesë zyrtare nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar për pjesëmarrje në Lojërat e 24-ta Olimpike Dimërore, të cilat mbahen me 4-20 shkurt në vitin 2022 në Pekin të Kinës.

Ftesa e dërguar në mënyrë elektronike dhe me postë, e nënshkruar nga presidenti i KON-it, Thomas Bach, është tradicionale dhe akt simbolik që bëhet para Lojërave Olimpike Verore dhe Dimërore.

“Presidenti i KOK-ut, Besim Hasani, me kënaqësi ka pranuar ftesën, derisa shpreson se LOD Pekin 2022 do të zhvillohen në një ambient të sigurt dhe pa pasur frikën e pandemisë Covid 19” thuhet në njoftimin e Komiteti Olimpik të Kosovës.

Hasani theksoi se Ekipi Olimpik i Kosovës do të përfaqësohet në Pekin me një ekip më të gjerë se sa në PyeongChang 2018, ku bëri debutimin me skitarin Albin Tahiri.

KOK-u momentalisht ka një normë olimpike me skitarin Arbi Pupovci, ndërsa normën po e kërkojnë edhe skitarët tjerë: Albin Tahiri, Fiona Blaka Rusta e Kiana Kryeziu. Tahiri, Pupovci, e Blaka Rusta janë bursistë olimpikë të KOK-ut./21Media