Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) ka shënuar 5 qershorin – Ditën Botërore të Sportit dhe Ambientit, aktivitet ky tradicional i KOK-ut. Me këtë rast, KOK ka mbjellur Pemën Olimpike 2020, e cila këtë herë u vendos në kopshtin pranë Ministrisë për Kulturë, Rini e Sport.

Pemën e mbollën së bashku presidenti i KOK-ut, Besim Hasani dhe ministrja për Kulturë, Rini e Sport, Vlora Dumoshi.

Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani u shpreh KOK vazhdimisht është duke punuar në mënyrë që sa më shumë ta ruaj mjedisin në Kosovë.

“Sot është 5 qershori, dita botërore e sportit dhe mjedisit. E dini që në vitin 72 është marrë nisma për herë të parë për mbrojtjen e parë për mbrojtjen e mjedisit, në vitin 1974 për herë të parë është mbajtur dita ndërkombëtare e mjedisit, ndërsa nga viti 1974, KON ka vendosur që edhe sporti të përfshihet dhe të kontribuoje në një mjedis shumë më të përshtatshëm për organizmin e ngjarjeve sportive, po ashtu edhe mbrojtjen e mjedisit, një mbrojtje të përhershëm”, tha Hasani.

Me këtë rast, ministrja Dumoshi u shpreh se të gjitha investimet e MKRS kryhen duke iu përshtatur rregullave për ruajtjen e ambientit.

“Për mua është një ditë e rëndësishme të cilën po e shënojmë sot, ditën e mjedisit sot po shënojmë edhe mjedisi dhe sporti, sot është dita e parë si ministre ku unë filloj sot me Qeverinë Hoti. Siç tha edhe presidenti i Komitetit Olimpik bashkërisht do të punojmë shumë sidomos për sportin, por nuk do të kemi sport të shëndetshëm nëse nuk e kemi një mjedis të pastër. MKRS sidomos në sport investon shumë në investime kapitale në nderime, por gjithmonë duke iu përshtatur rregullave për mos ndotjen e ambientit”, u shpreh Dumoshi.

I pranishëm ishte rektori i Universitetit “Hasan Prishtina”, Marjan Demi u shpreh se ambienti është dëmtuar shumë dhe shpreson që me nismën e studentëve dhe qytetarëve një gjë e tillë të përmirësohet.

“Prishtina është qytet universitar që nga viti 1970 sepse në gjirin e saj rrezaton Universiteti i Prishtinës. Në Prishtinë të gjithë e dimë që vijnë njerëz, kalojnë gjenerata, kalojnë qeveri, asosacione të ndryshme përfaqësi të ndryshme mirëpo Prishtina mbetët këtu. Ambienti është dëmtuar, prandaj studentët, stafi akademik dhe jo akademik kanë filluar me gjelbërimin e tërë kampuseve që i kemi këtu në qendër, tek Fakultetet Teknike, tek Fakultetet Mjekësisë dhe i Bujqësisë dhe atë aktivitet do ta bëjmë së bashku me qytetarë”, tha ai.

Krahas kësaj, pjesëmarrëse në këtë ditë kanë qenë edhe komunat e Kosovës, të cilat kanë mbjellur nga një pemë Olimpike në Kampusin e Universitetit të Prishtinës./kp