Ditë historike e sportit të Kosovës

Ditë historike e sportit të Kosovës

Komiteti Olimpik i Kosovës  sot shënon 5 vjetorin e anëtarësimit të KOK-ut në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar.

Me këtë rast, KOK organizon gala mbrëmjen me rastin e 5 vjetorit të anëtarësimit të KOK-ut në KON.

Për ta nderuar KOK-un, në këtë ditë të veçantë, sot në Kosovë do të arrijnë presidentë të shumtë të Komiteteve Olimpike Kombëtare.

Në gala mbrëmje të pranishëm do të jenë: Krisztian Kulcsar, president i Komitetit Olimpik të Hungarisë, Mihail Claudio Covaliu, president i KO të Rumanisë, Bogdan Gabrovec, president i KO të Sllovenisë, Vasil Tupurkovski, president i KO të Maqedonisë së Veriut, Dusan Simonoviq, president i KO të Malit të Zi dhe Viron Bezhani, president i KO të Shqipërisë.

Një mysafir tjetër i lartë edhe Emanuel Macedo de Medeiros, president i Aleancës Globale të Integritetit Sportiv (SIGA) i shoqëruar nga Clare Disdale.

Krahas tyre, të pranishëm do të jenë edhe figurat më të larta politike të vendit, si dhe ato nga sporti, arti e kultura.

KOK u anëtarësua në KON në sesionin e 127-të të mbajtur në Monako, anëtarësim ky që iu kishte hapur më pas rrugën federatave sportive në vend për t’u anëtarësuar në federatat përkatëse ndërkombëtare.

Në këto pesë vjet, KOK-u ka fituar 11 medalje, prej tyre gjashtë të arta, dy të argjendta dhe tri të bronzta në lojërat e ndryshme ndërkombëtare, ndërsa veçohet medalja e artë olimpike e Majlinda Kelmendit, e cila bëri që Kosova të hyjë në mesin e 100 shteteve me medalje të artë olimpike.