Kolë Krasniqi: Situatë qesharake dhe e tmerrshme

(Lajm i përditësuar)
Kolë Krasniqi: Situatë qesharake dhe e tmerrshme
Kolë Krasniqi në ”Click’ të RTV21 e ka cilësuar situatën politike në vend si “qesharake dhe të tmerrshme”, duke komentuar mungesën e opozitës në seancat e Kuvendit.
Krasniqi tha se partitë opozitare e kanë bërë të qartë qëndrimin e tyre, duke theksuar se nuk duan që një parti e vetme të ketë të përqendruar të gjithë pushtetin.
Sipas tij, kërkesa e opozitës është që për postin e presidentit të propozohet një kandidat jopartiak.
“Situata është qesharake dhe e tmerrshme. Sa i përket mosprezencës së opozitës në Kuvend, ata e kanë deklaruar qartë se nuk duan që një parti politike ta ketë të përqendruar të gjithë pushtetin. Ata kanë thënë shumë qartë se duan një kandidat jopartiak”, deklaroi Krasniqi.
Peci: “Del ku del”, Kosova drejt zgjedhjeve
Lulzim Peci në ”Click” të RTV21 ka deklaruar se zgjedhja e presidentit në Kosovë është e pamundur pa siguruar mbështetjen e të paktën 80 deputetëve në Kuvend.
Megjithatë, ai theksoi se situata aktuale politike është ndryshe dhe deri më tani nuk është arritur ndonjë kompromis politik, përfshirë edhe me partitë opozitare.
Peci shtoi se kryeministri Albin Kurti ka qenë i vetëdijshëm që nga fillimi se zgjedhja e presidentit nuk mund të bëhet pa 80 vota në Kuvend dhe se për ta arritur këtë është e domosdoshme një marrëveshje politike.
“Ne kemi pasur më parë koalicione më të gjera që i kanë pasur 80 deputetë dhe presidenti është zgjedhur pa problem. Këtë herë situata është çfarë është, nuk është arritur ndonjë kompromis as me partitë e opozitës. Kurti ka qenë i vetëdijshëm që nga fillimi se nuk mund të zgjidhet presidenti pa 80 deputetë dhe për t’i pasur ato vota duhet marrëveshje – votat nuk t’i jep askush ashtu. Nëse nuk ka marrëveshje, shkojmë në zgjedhje, del ku del”, deklaroi Peci.
Jakaj: Vazhdimi i kësaj seance mund të prodhojë president jokushtetues
Naim Jakaj nga IKD ka paralajmëruar se vazhdimi i seancës së sotme për zgjedhjen e presidentit mund të çojë në një situatë jokushtetuese.
Duke folur për zhvillimet institucionale, Jakaj tha se sipas interpretimit të tyre, një seancë e tillë nuk mund të vazhdojë më, pasi ekziston rreziku që zgjedhja e presidentit të konsiderohet jokushtetuese.
“Sipas interpretimit tonë, një seancë e tillë nuk mund të vazhdojë më, sepse mund të konsiderohet president jokushtetues”, deklaroi Jakaj.
Jakaj: Presidentja Osmani nuk mund t’i shpallë zgjedhjet sot pas orës 00:00
Naim Jakaj nga IKD në ”Click” të RTV21 ka deklaruar se me nisjen e seancës së Kuvendit për zgjedhjen e presidnetit ka filluar të rrjedhë edhe afati kushtetues prej 60 ditësh për zgjedhjen e presidentit.
Jakaj tha se në rast se brenda këtij afati nuk arrihet zgjedhja e presidentit, atëherë Kuvendi i Kosovës shpërndahet automatikisht dhe vendi shkon në zgjedhje të reja.
Sipas tij, në një situatë të tillë, zgjedhjet e jashtëzakonshme duhet të mbahen brenda 45 ditësh pas shpërndarjes së Kuvendit.
Ai tutje ka shtuar se ”Presidentja Vjosa Osmani nuk mund t’i shpallë zgjedhjet sot, pasi pas orës 00:00 përfundon afati ligjor”.
“Seanca ka filluar dhe me këtë ka nisur të rrjedhë afati prej 60 ditësh. Nëse brenda këtij afati nuk kemi president, Kuvendi shpërndahet dhe vendi shkon në zgjedhje, që mund të mbahen në muajin maj. Pastaj, brenda 45 ditësh organizohen zgjedhjet e jashtëzakonshme”, deklaroi Jakaj./RTV21/21Media