Anëtarët e Kolegjit Zgjedhor në SHBA po mblidhen në kryeqytetet e shteteve, më 14 dhjetor, për të zgjedhur zyrtarisht, Joe Biden, si presidentin e ardhshëm të Shteteve të Bashkuara.

Rezultatet do të dërgohen në Washington dhe do të paraqiten në një sesion të përbashkët të Kongresit më 6 janar, të cilin do ta kryesojë zëvendëspresidenti aktual, Mike Pence.

Sipas Kushtetutës së SHBA-së, presidenti duhet të zgjidhet me shumicën e votave të Kolegjit Zgjedhor. Nëse askush nuk fiton shumicën, pastaj çështja kalon në Dhomën e Përfaqësuesve e cila vendos për presidentin e ri.

Biden fitoi më shumë se 7 milionë për dallim nga presidenti aktual, Donald Trump. Sidoqoftë, vota popullore nuk luan asnjë rol.

Në historinë e SHBA-së, pesë presidentë janë zgjedhur, megjithëse kundërshtari i tyre kishte fituar më shumë vota popullore. Edhe Donald Trump ishte zgjedhur në këtë mënyrë më 2016.

Këtë vit votat e zgjedhësve kanë tërhequr më shumë vëmendje sepse presidenti, Donald Trump, ka refuzuar të pranojë rezultatet e zgjedhjeve dhe ende vazhdon të bëjë akuza të pabazuara për mashtrim.

Biden po planifikon t’i drejtohet kombit më vonë më 14 dhjetor, pasi Kolegji Zgjedhor të ketë votuar.

Pasi sfidat e shumta ligjore u hodhën poshtë nga gjykatësit në disa shtete, javën e kaluar Trump dhe aleatët republikanë u përpoqën të bindnin Gjykatën Supreme të linte mënjanë 62 vota elektorale për Bidenin në katër shtete, të cilat mund të kishin hedhur në dyshim rezultatin.