Komandanti i Gardës së Iowa-s sheh nga afër kapacitetet e FSK-së

Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (KOMFSK), Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, dhe Komandanti i Gardës së Iowa-s, Gjeneral Major Stephen E. Osborn, kanë vizituar Shtabin e Përgjithshëm të Forcave të Sigurisë së Kosovës (FSK).

FSK bënë të ditur se gjatë kësaj vizite, është diskutuar bashkëpunimi ndërmjet FSK-së dhe Gardës Kombëtare të Ajova-s, duke përfshirë planet dhe objektivat për tre vitet në vazhdim, shkruan rtv21.tv.

“Në linjë me objektivat e KOMFSK-së u shpalosen detajet e planit të bashkëpunimit në mes të dy institucioneve, duke u përqendruar në fushat e manovrës, mbështetjes logjistike, mjekësisë, kibernetikës, si dhe trajnimit të nënoficerëve. Këto diskutime u bënë në kontekstin e qëllimeve të përbashkëta për ngritjen e nivelit të bashkëpunimit dhe koordinimit mes dy forcave”, ka shkruar FSK në “Facebook”.

Tutje, bëhet e ditur se Gjenerallejtënant Jashari dhe Komandanti i Gardës së Ajova-s, Gjeneral Major Osborn bashkë me delegacionet e tyre, kanë vizituar Regjimentin e Tretë të Këmbësorisë së Forcave Tokësore në Mitrovicë, ku të dy gjeneralët u njoftuan me aktivitetet, trajnimet dhe të arriturat e kësaj njësie.

“Në kuadër të kësaj vizite, ata patën mundësinë që të shihnin demonstrimin e aftësive luftarake në poligonin e trajnimit të regjimentit, përfshirë mbështetjen me zjarr, operacionet sulmuese si dhe praktikat e zbulimit dhe raportimit në fushën luftarake. Regjimentet e Forcave Tokësore të Forcës së Sigurisë së Kosovës janë duke realizuar aktivitetet sipas planifikimit dhe zhvillimit të kapaciteteve luftarake me qëllim të validimit sipas Planit Gjithëpërfshirës të Tranzicionit (PGJT)”, shkruan FSK./21Media

Back to top button