KOMF e Këshilli i Prindërve: Nëse mësimi nuk fillon 320 mijë nxënësve do t’u mohohet e drejta themelore

Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF dhe Këshilli i Nxënësve të Kosovës thonë Nëse sot më 1 shtator nuk fillon mësimi, rreth 320,000 nxënësve do t’i mohohet e drejta themelore për arsim.
“Në mesin e tyre, e drejta për arsim do t’i mohohet rreth 25,000 fëmijëve të cilët presin të ulen në bankat e shkollës për herë të parë. Mohimi i arsimit është shkelje e të drejtës themelore të fëmijës, e garantuar me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe Konventën Ndërkombëtare për të Drejtat e Fëmijës.”, thuhet në reagimin e KOMF.
KOMF i bën thirrje palëve në këtë proces të kenë konsideratë kryesore interesin më të mirë të fëmijës, të gjejnë një zgjidhje të përbashkët, pasi ndërprerja e arsimit dëmton më së shumti fëmijët.
Qeveria e Kosovës ju ka bërë thirrje të gjithë mësimdhënësve që nesër të kthehen në proces të rregullt mësimor. Mirëpo sindikalistët thonë se më 1 shtator nuk ka mësim dhe porosisin prindërit që të mos i dërgojnë fëmijët në shkollë për shkaqe sigurie. Grevistët këmbëngulin në përmbushjen e kërkesave të tyre./21Media

Back to top button