Shumë fëmijë në Kosovë kanë mbetur pa shërbime sociale gjatë periudhës së pandemisë. Përhapja e koronavirusit, ka ndikuar që edhe më tej të rëndohet gjendja e fëmijëve, që përbën 30 për qind të popullatës. Këta të fundit nuk janë prioritet as i komunave, por edhe i nivelit qendror.

Kështu u tha në Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve, gjatë publikimit të raportit të monitorimit nga KOMF monitorimit “Komuna ime, e drejta ime sociale”.

Drejtoresha e KOMF-it, Donjeta Kelmendi tha se këtë vit gjendja e fëmijëve është akoma më e rënduar për shkak të pandemisë. Periudha e gjatë e pandemisë dhe vështirësitë financiare, siç tha ajo kanë ndikuar në rritjen e përdorimit të dhunës ndaj fëmijëve.

Gjendja e fëmijëve me aftësi të kufizuara, dhe prindërve të tyre, është rënduar edhe më shumë gjatë pandemisë. Fëmijët me aftësi të kufizuara kanë mbetur pa shërbimet esenciale, sociale dhe mbështetjen psikologjike. Krizat dhe masat e izolimit kanë ndikuar në përgjithësi për përkeqësimin e shëndetit mendor në përgjithësi. Prandaj, mbështetja profesionale ndaj fëmijëve me aftësi të kufizuara dhe prindërve të tyre është e rëndësishme dhe e domosdoshme. Po ashtu fëmijët të cilët janë të përfshirë në punë të rënda edhe gjatë pandemisë po vazhdojnë të jenë në rrezik për jetën, shëndetin dhe po ekspozohen ndaj shfrytëzimit, abuzimit duke mos përjashtuar edhe ndaj trafikimit”, theksoi Kelmendi.

Kelmendi tha se sa më shpejt duhet të hyjë fuqi Ligji për Mbrojtjen e Fëmijëve, i cili ishte aprovuar në qershor të vitit të kaluar.

Siç e dimë Ligji për Mbrojtjen e Fëmijëve është aprovuar me 27 qershor në vitin 2019 nga Kuvendi i Kosovës. Këtë ligj për herë të parë Kosova e ka miratuar vitin e kaluar, dhe ky ligj pritet të hyjë në fuqi në muajin korrik. Prandaj, KOMF i drejtohet qeverisë dhe komunave që të marrë me urgjencë të gjitha masat për zbatimin e Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijëve. Fëmijët në Kosovë përbëjnë 30 për qind të popullsisë së Kosovës. Prandaj qeveria dhe komunat duhet të investojnë në këtë potencial për të krijuar një shoqëri të shëndoshë dhe një fuqi punëtore e cila në të ardhmen mund të kontribuojë më shumë në zhvillimin ekonomik të vendit”, shtoi ajo.

Bukureza Surdulli nga KOMF prezantoi të gjeturat dhe rekomandimet e Raportit të Monitorimit mbi Procesin e Decentralizimit të Shërbimeve Sociale për vitin 2019, i cili u realizua në shtatë komuna të Kosovës.

Sipas Surdullit, në Kosovë për ofrimin e shërbimeve sociale trajtohen vetëm rastet emergjente.

Ne kemi vlerësuar që pengesa kryesore ka qenë mungesa e vullnetit politik nga niveli qendror dhe po ashtu nga niveli komunal. Ku pothuajse në të gjithë përfaqësuesit që kemi biseduar gjatë intervistimit kanë pohuar që nuk ka pasur vullnet politik , ku tregohet që edhe pas 10 viteve nuk është implementuar i gjithë procesi, ashtu siç ishte nisur në vitin 2009. Gjithashtu komunat kanë deklaruar që ata nuk kanë qenë fare të përgatitur paraprakisht për të pranuar këto kompetenca nga niveli qendror. E dyta është mungesa e financimit të qëndrueshëm për shërbimet sociale, gjë që ka quar në mos implementimin e decentralizimit të buxhetit. Buxheti për shërbimet sociale ende vjen nga niveli qendror dhe komunat nuk ndajnë buxhet për shërbime sociale”, është shprehur Surdulli.

Ndër të tjera, Surdulli ka theksuar se buxheti i komunave nuk bazohet në nevojat e qytetarëve, pra kur ndahet shuma nuk ka informata se sa persona kanë nevojë për shërbime sociale.

Ministria e atëhershme e Punës dhe Mirëqenies Sociale për vitin 2019 kishte buxhetin total rreth 460 milionë euro. Dhe 97,7 për qind të kësaj shume janë ndarë për transfere dhe për skema. Ndërkaq, vetëm 3 milionë euro, që i bie 1 për qind të buxhetit total, është ndarë për shërbime sociale nga niveli qendror. Komunat ndajnë disa fonde në formë të subvencioneve për OJQ-të që ofrojnë shërbime sociale. Këto shuma janë shumë ta pakta dhe aspak të bazuara në nevojat e qytetarëve dhe OJQ-të që aplikojnë”, ka shtuar ajo.

KOMF vlerëson që të bëhet hartimi i formulës së financimit nga niveli qendror, monitorimi dhe vlerësimi nga sektori joqeveritarë privat, licencimi i shërbimeve sociale të ofruara nga sektori publik. Po ashtu që të bëhet krijimi i një skeme të qëndrueshme për komunat për kontraktimin e shërbimeve sociale dhe familjarëve, dhe që të rritet numri dhe profilizimi i zyrtarëve që merren me punë sociale./KP