Koalicioni i OJQ–ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF në Kosovë, në prag të Ditës Ndërkombëtare të Konventës për të Drejtat e Fëmijës përmes një kërkese zyrtare i është drejtuar kryeministrit të Kosovës Avdullah Hoti, Ministrit të Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica dhe Ministres së Financave, Hykmete Bajrami, duke kërkuar ndërmarrjen e masave të menjëhershme për parandalimin e mbylljes së shërbimeve për fëmijët ne nevojë si dhe zgjidhjen afatgjatë të financimit të shërbimeve sociale.

Konkretisht, KOMF ka kërkuar ndërmarrjen e masave të menjëhershme për parandalimin e mbylljes së përkohshme të shërbimeve të strehimoreve për fëmijët pa përkujdes prindëror, viktima të dhunës dhe abuzimit, viktima të trafikimit (niveli i ulët i rrezikut) në Janar 2021, përmes shpalljes sa më parë të thirrjes nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale për mbështetjen e shërbimeve sociale direkte të ofruara nga strehimoret e licencuara.

“Ndërrmarrjen e masave të menjëhershme për të rregulluar mekanizmin e financimit të qëndrueshëm edhe për të gjithë shërbimet sociale për fëmijët e cenueshëm, si fëmijët me aftësi të kufizuara, fëmijët në strehim familjar apo fëmijët e përfshirë në punë të rënda, duke nxjerrë thirrje të rregullta të cilat nuk do të lënë zbrazëti apo boshllëqe kohore të pambuluara financiarisht, gjë e cila ndodh çdo vit dhe rezulton me ndërprerje të shërbimeve sociale”, ka kërkuar KOMF.

KOMF po ashtu ka kërkuar procedimin sa më shpejt të procesit të miratimit të Projekt Ligjit për Financat e Pushtetit Lokal, (i cili aktualisht është në proces hartimi), e i cili parasheh krijimin e Grantit Specifik për Shërbime Sociale, me qëllim zgjidhjen afatgjatë të problemit të financimit të shërbimeve sociale./21Media