KOMF konsideron që prindërit dhe kujdestarët duhet të jenë të vëmendshëm dhe të përgjegjshëm

KOMF konsideron që prindërit dhe kujdestarët duhet të jenë të vëmendshëm dhe të përgjegjshëm

Koalicioni i Fëmijëve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF, kërkon nga prindërit, kujdestarët dhe familjet të kenë prioritet mbrojtjen e fëmijëve nga transmetimi i virusit COVID-19 dhe efektet negative psikologjike që mund të vinë tek fëmijët si pasojë e kësaj pandemie.

KOMF përmes një komunikate u shpreh se vlerëson masat e ndërmarra nga Qeveria e Kosovës për parandalimin e përhapjes së pandemisë. Përkundër masave të ndërmarra deri më tani, KOMF konsideron që prindërit dhe kujdestarët duhet të jenë të vëmendshëm dhe të përgjegjshëm për të siguruar parandalim, mbrojtje, informim të saktë dhe mirëqenie për fëmijët.

KOMF iu bën thirrje prindërve dhe kujdestarëve të fëmijëve, që të mbani fëmijët e sigurtë brenda ambientit familjar, në shtëpi, e cila në këtë periudhë po konsiderohet si masë e domosdoshme për mos ekspozimin e fëmijëve dhe parandalimin e përhapjes së virusit.

Për të zvogëluar ndikimet e mundshme negative të situatës së krijuar te fëmijët, KOMF kërkon nga prindërit dhe kujdestarët të ndjekin rekomandimet e më poshtme për kujdesin ndaj fëmijëve:

Inkurajoni fëmijët që të shprehin shqetësimet e tyre lidhur me gjendjen e krijuar;

Informoni drejt dhe saktë fëmijët lidhur me virusin COVID-19. Varësht nga mosha dhe zhvillimi i fëmijës, ofroni informacionin, zgjedhni qasjen dhe metodologjinë e përshtatshme. Gjatë diskutimit, tregohuni të gatshëm t’i dëgjoni, ofroni mbështjetje, vëmendje dhe siguri;

Informoni fëmijët për mënyrat e mbrojtjes dhe parandalimit të shpërndarjes të virusit siç janë larja e duarve, dezinfektimi i duarve, mbajtja e distancës së nevojshme dhe të ngjashme. Bëjeni këtë bashkarisht duke përdorur metoda argëtuese, përmes lojës, leximit, këngës dhe vizatimit;

Vazhdoni rutinën familjare normalisht, zhvilloni sa më shumë aktivitete edukative dhe argëtuese me fëmijët;

Hulumtoni për libra, filma, lojëra të ndryshme për angazhim të familjes gjatë kësaj kohe;

Punoni më fëmijët në mënyrë që të mos shkëputen nga sistemi arsimor;

Mundësoni komunikimin në distancë (online) me shoqërinë e tyre, në mënyrë që të mos ndërprejnë jetën sociale;

Punoni dhe hulumtoni me fëmijët për të zhvilluar aftësi të reja tek ta.

Kujtojmë që, të dielën në Kosovë ka vdekur pacienti i parë me koronavirus, 82-vjeçari nga Podujeva, ndërsa numri i rasteve ka shkuar në 33./21Media