Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale ka shprehur ngushëllime për familjen e Haki Arifit dhe Idriz Gërbeshit që humbën jetën dje sa ishin duke punuar në Minerën e Artanës.

‘’Duke ju shprehur ngushëllimet nga Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale familjeve të Inxhinierit te Xehetarisë Haki Arifi dhe Minatorit Idriz Gërbeshi dhe gjithë minatorëve të Artanës, Trepçës dhe gjithë shoqërisë, me dhimbje të madhe njoftojmë opinionin e gjerë lidhur me këtë fatkeqësi’’, thuhet në komunikatën e dërguar për media.

Tutje bëhet e ditur se Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale për aksidentin me fatalitet është njoftuar nga Drejtori i njësisë biznesore të Minierave me flotacion Kishnicë-Artanë përmes telefonit në orën 10 e 34 minuta.

KPMM- bënë të ditur se, ngjarja ka ndodhur si pasojë e shembjes së shkëmbinjve në korridorin kryesor të nën katit 798-24 të horizontit të IV-të të minierës së Artanës, respektivisht në zonën ndërmjet korridorit nr.9 dhe oxhakut të xehes nr.2.

‘’Shembja ka ndodhur nga pjesa tavanore e shkëmbinjve gëlqeror të mërmëritur, të përzier me xehe. Në vendin e shembjes në atë moment janë ndodhur Inxhinieri i Xehetarisë Haki Arifi i lindur 1969 dhe minatori, xehetari i kualifikuar Idriz Gërbeshi i lindur 1967. Kurse në afërsi të vendit të aksidentit, ishin edhe një numër i caktuar i minatorëve, të cilët fatmirësisht kanë shpëtuar nga aksidenti me fatalitet. Fatkeqësisht që të dy punëtorët janë goditur, e më pas mbuluar nga masat shkëmbore të shembura, me qrast kanë humbur jetën në vendin e ngjarjes’’ Pas informatës, në miniere kanë arritur përfaqësues nga Komisioni për Zhvillim Ekonomik i Kuvendit të Kosovës, Kryeministri, Ministra dhe deputet të Kuvendit të Kosovës, si dhe Departamenti i Emergjencave civile të Kosovës, FSK-ja, Policia, Prokuroria, mjekësia ligjore’’, bëhet e ditur në komunikatë.

Bëhet e ditur se në vendin e ngjarjes në ndihmë kanë dalur edhe qeta e shpëtimit e Stantërgut, një njësi zjarrfikësish nga KEK-u, si dhe një njësi zjarrfikësish nga komuna e Artanës

Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale ka ngritur një komision nga Inspektorati i Minierave, të cilët në ditët në vijim e kanë për detyrë të inspektojnë vendin e ngjarjes dhe të dalin me raport të detajuar për shkaqet e këtij aksidenti.

Sipas tyre, Bordi i KPMM-së dje kishte për të mbrojtur raportin e punës për vitin 2019 në Komisionin për Zhvillim Ekonomik të Kuvendit të Kosovës, por për shkak të ngjarjes është shtyrë për një afat tjetër. /21Media