Haziri pranon çmimet

Haziri pranon çmimet

Dy çmimet i ka pranuar kreu i Gjilanit, Lutfi Haziri, nga ana e kryetarit të Komitetit Botëror të Paqes, Djuyoto Sunfam, në një ceremoni të veçantë, në prezencën edhe të kryetarit të Komitetit Botëror të Paqes për Europë, Franko Cetinich.

“Kjo është mirënjohja e tretë kolektive që i jepet Gjilanit, pas asaj të Parlamentit Europian, i cili në vitin 2006 ia bartë Komunës sonë flamurin e paqes dhe presidentes Jahjaga, e cila e ka nderuar Gjilanin me “Urdhrin e Lirisë”. Nga sot, ne do të shpallim procedura publike për ndërtimin e simbolit të paqes, i cili do të vendoset në pjesën urbane, duke u radhitur në mesin e qyteteve të paqes në botë. Ne, pra jemi të njohur si qytet i paqes, i dialogut dhe i solidaritetit fetar, etnik e politik. E falënderoj Komitetin për vlerësimin e lartë dhe gjilanasin tonë, dr. Rabit Sadiku, i cili i ka prirë këtij procesi”, ka thënë Haziri, pas pranimit të çmimeve, ka njoftuar komuna e Gjilanit.

Ndërkaq, kryetari i Komitetit Botëror të Paqes, Djuyoto Sunfam, ka deklaruar në ceremoninë e organizuar në Kuvendin Komunal se nominimi për këto mirënjohje ka ardhur pas një hulumtimi të gjatë që kanë bërë për figurën e Hazirit dhe Gjilanin në përgjithësi.

“Kemi ardhur nga një vend shumë i largët për të ardhur në këtë event dhe po ndihemi si në shtëpinë tonë. Mbrëmë kemi qëndruar dhe shetitur në Gjilan dhe kemi parë paqen e një qytet të bukur. Komiteti Botëror i Paqes, pas kërkimeve dhe hulumtimeve të gjata që ka bërë duke e studiuar Gjilanin, jemi pajtuar që ky është qytet i paqes dhe kryetari Lutfi Haziri është Figurë e Paqes. Ju konfirmoj se Gjilani është qyteti i parë në Ballkan që është nominuar nga Komiteti. Unë besoj që qyteti juaj do të jetë shumë i famshëm në botë sa i përket paqes dhe ju jeni me fat që jeni në këtë event kaq të rëndësishëm. Emri juaj do të jetë i shënuar në të gjitha vendet e botës dhe do të hyjë në histori”, tha Sunfam.

Në fund, një fjalë rasti pati edhe kryetari i Komitetit Botëror të Paqes për Europë, Franko Cetinich, i cili ka uruar kryetarin Haziri dhe qytetarët e Gjilanit për mirënjohjet. ​