Arbër Ademi zv/ministër i arsimit

Arbër Ademi zv/ministër i arsimit

Deri ditën e enjte mbetet pezull Qeveria e kryeministrit Zaev, pasi këtë ditë pritet të takohen Ziadin Sela dhe Zoran Zaev për plotësimin e vendeve boshe në Qeveri. E nga ana tjetër Bashkimi Demokratik për Integrim, njoftoj se për zv.ministër të arsimit, ka caktuar Arbër Ademin, ish zv/kryeministrin për çështje evropiane. Deputeti i kësaj partie Artan Grubi, tha se ketë e ka vendosur lideri i partisë Ali Ahmeti, gjatë takimit me kryeministrin Zoran Zaev.

“Zv.ministri për arsim dhe shkencë do të jetë zv.kryeministri për çështje evropiane, Arbër Ademi dhe kjo gjë është caktuar mes partnerëve të koalicionit, Ahmeti dhe Zaev, dhe në këtë mënyrë e tejkalojmë situatën e tanishme në Qeveri me mbushjen e posteve të zbrazura”, tha Artan Grubi, deputet i BDI-së.

Oferta për ASH-në si kompensim për Ministrinë e Shëndetësisë i është ofruar posti i zv/kryeministrit për reforma, zëvendësministrit të shëndetësisë si dhe posti i një ministrit pa resor. Nga kjo parti nuk deshën të komentojnë deklarata të tilla deri në takimin mes Selës dhe Zaevit.

“Ne presim të takohen dy liderët dhe besojmë se do vijnë në shprehje afinitete negociuese të dy liderëve për të zgjidhur këtë çështje”, u shpreh Elmi Aziri, Aleanca për Shqiptarët.

Një ditë më parë partia më madhe në vend LSDM-ja hoqi dilemat rreth ministrisë së shëndetësisë, duke propozuar Venko Filipçen. Përveç biografisë profesionale, në CV-në e Filipçes qëndron se ka qenë këshilltar i ish-ministrit, Nikolla Todorov. Ende mbeten pa emër vendet e dy ministrave pa resor që deri më tani drejtoheshin nga Ramiz Merko dhe Samka Ibrahimovski.