400 fidanë për 400 martirët e Mejës ka mbjellë të enjten komuna e Gjakovës për të shënuar Ditën e Tokës.

Fidanin e parë e mbolli kryetari i Komunës, Ardian Gjini, i cili u shpreh i lumtur me aktivitetet që po mbahen për të shënuar këtë ditë.

Gjini ne një prononcim për media kujtoi se masakra e Mejës është më e madhja që ka ndodhur në Kosovë, teksa shtoi se aksioni i sotëm është simbolikë për të shënuar këtë ditë.

Ai tha se kanë zgjedhur rrapin për ta mbjellur në Kompleksin Memorial në Mejë, për shkak të jetëgjatësisë.

“Jemi tek memoriali në Mejë, është masakra më e madhe që ka ndodhur në Kosovë. Po mbjellim rrap, po mbjellim trupa të rrapit si simbolikë por, në të njëjtën kohë edhe pjesë e rregullimit të mjedisit. Do të kemi edhe aktivitete tjera sot”, tha ai.

Ai foli edhe për “Garën për Gjakovë të pastër”, që ka nisur më 2 prill.

“Garën për Gjakovë të pastër e kemi filluar që disa ditë, është e përvitshme tani. Jam shumë i kënaqur me punën që po bëjnë kolegët e mi në organizim, më bashkëpunimin me shkollat, me Policinë, me KFOR-in, me FSK-në me të gjithë. Ka marrë Jehonë të jashtëzakonshme, ka marrë jehonë ekzakt sa është edhe vet aktiviteti. Kështu që jam i lumtur në këtë ditë për të gjitha aktivitetet që po bëhen”, tha Gjini.

Aksioni i radhës “Ta pastrojmë Shkugëzën”, i paraparë për ditën e sotme pritet të fillojë në orën 12.