Shfuqizohet vendimi i mëparshëm

Shfuqizohet vendimi i mëparshëm

Kuvendi i Komunës së Malishevës, sot ka mbajtur një mbledhje urgjente, ku ka shfuqizuar vendimin e vitit të kaluar, përmes së cilit, ju ishte ndaluar maturantëve të kësaj komune ekskursionet jashtë Republikës së Kosovës.

Me 27 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, anëtarët e Kuvendit të Komunës së Malishevës, kanë shfuqizuar vendimin e mëparshëm, duke e konsideruar të padrejtë. Anëtarët e Kuvendit të Komunës së Malishevës, gjatë diskutimeve dhe deklarimeve të tyre, kërkuan që udhëzimet e MASHTK për organizimin e ekskursioneve të zbatohen në përpikëri.

Vitin e kaluar, Kuvendi i Komunës së Malishevës, me vendimin nr.02/296  datë: 24.07.2018, i miratuar në mbledhjen e Kuvendit të Komunës me datë:19.07.2017, ju kishte ndaluar maturantëve të Komunës së Malishevës, ekskursionet jashtë Republikës së Kosovës.

Në nenin e parë të këtij vendimi, thuhej: Miratohet kërkesa e anëtarëve të Kuvendit për ndalimin e ekskursioneve rekreative jashtë Republikës së Kosovës, për maturantët e shkollave të mesme të larta në Komunën e Malishevës.