Kryetari i komunës, Agim Bahtiri, sot njoftoi se pas lehtësimit të disa nga masave të vendosura si pasojë e përhapjes së virusit COVID-19, nga nesër do të fillojë funksionimi i komunës me kapacitete të plota. Të gjithë zyrtarët komunal duhet të vazhdojnë punën intensivisht, me përjashtim të atyre mbi moshën 60 vjeç dhe që kanë probleme shëndetësore.

Bahtiri i bëri këto komente gjatë mbajtjes së mbledhjës e radhës e Bordit të Drejtorëve, ku u diskutuan disa pika të rendit të ditës, që janë me interes për qytetarët e komunës së Mitrovicës.

Ndërsa, drejtoresha e Shëndetësisë, Erseka Hasanaj Barani shpalosi gjendjen aktuale me virusin COVID-19 në Mitrovicë, me ç’ rast potencoi se deri më tani janë gjithsej 19 raste pozitive me këtë virus, 2 prej tyre janë të hospitalizuar në Klinikën Infektive në QKUK, ndërsa 17 tjerë janë në vetizolim në shtëpitë e tyre dhe të gjithë kanë gjendje të mirë shëndetësore dhe stabile.

Po ashtu, drejtoresha Barani theksoi se në bashkëpunim me drejtorinë për Mirëqenie Sociale këtyre rasteve u kanë dalë në ndihmë përmes pakove ushqimore dhe atyre mjekësore.

Drejtori për Financa dhe Zhvillim Ekonomik, Shukri Gashi e njoftoi bordin e drejtorëve lidhur me Raportin Financiar për tre mujorin e parë të vitit 2020, për të cilin tha se planifikimi i të hyrave për Janar- Mars 2020 ka qenë 480,665.80, ndërsa inkasimi 481,757.86, që do të thotë se realizimi është arritur 100,23%.

Gjithashtu drejtori Gashi përmendi edhe vendimin nga Ministria e Financave dhe Transfereve për mos llogaritjen e gjobave dhe dënimeve, edhe në raste të vonesave në Tatimin në Pronë, vendim ky i cili është i publikuar edhe në ueb faqe të komunës.

Në fund drejtori për Kulturë, Rini dhe Sport, Tafil Peci tha se pas vendimit të Ministrisë së Shëndetësisë për fazën e dytë të lehtësimit të masave, nga sot janë hapur Muzeu, Biblioteka, Qendra e Kulturës, Galeria e Arteve, ndërsa Teatri nga 1 qershori.