Komuna e Prishtinës ende pa zgjidhje se ku do t’i deponojë materialet që përmbajnë azbest

Komuna e Prishtinës po synon largimin e materialeve që përmbajnë azbest. Një hap i tillë drejt largimit të ksaj substance u ndërmor javën e kaluar kur kryetari i Prishtinës, Përparim Rama dhe ministri i Mbrotjes, Armend Mehaj nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi për këtë projekt.
Roli i Forcës së Sigurisë së Kosovës në këtë rast do të jetë largimi i materialeve të dëmshme nga azbesti. “Komuna vetëm identifikon materialet e dëmshme, ndërsa FSK bën largimin dhe depononimin”, ka thënë për portalin rtv21.tv , Bajram Gecaj, këshilltar  për siguri  i kryetarit të Prishtinës.
Po ashtu ai ka bërë të ditur se ende nuk dihet se ku do të deponohen këto materiale.
“Jemi ne proces te diskutimit, pasi që deponimi është ende problem dhe nuk ka një zgjidhje as në nivelin qendror”, ka thënë Gecaj.
Mënyra e deponimit të azbestit si duket po  shkakton zvarritjen e këtij procesi. Gecaj për portalin rtv21.tv ka thënë se implementimi i marrëveshjes do të bëhet atëherë kur të identifikohet mënyra e deponimit.
Si vendi më me urgjjencë për të ndërhyrë sipas Bajram Gecajt konsiderohet të jetë tulltorja, por që ai ka thënë se janë duke u identifikuar edhe lagjet në të cilat do të ndërhyhet së pari.
Azbesti konsiderohet si material kancerogjen. Në një raport, të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH)thuhet se të gjitha llojet e azbestit shkaktojnë kancer të mushkërive. Tutje thuhet se ekspozimi ndaj azbestit ndodh nëpërmjet thithjes së fibrave (pluhurit) në ajër, në mjedisin e punës, ajrit në afërsi të burimeve, siç janë fabrikat që trajtojnë azbestin, ose të ajrit të brendshëm në banesa dhe ndërtesa që përmbajnë azbest./21Media

Back to top button