Komuna e Prishtinës ka organizuar një aktivitet përmes të cilit ka nis pastrimin e rrugëve. Për këtë ka kontraktuar 6 kompani.

Ky aktivitet ka filluar sot në orën 10:00 të mëngjesit dhe do të vazhdojë pas përfundimit të orarit të lëvizjes së qytetarëve, në orën 22:30, në mënyrë që mos ketë pengesa në qarkullim.

Menaxheri i mirëmbajtjes së qytetit, Bujar Abazi tha për Kp se Komuna e Prishtinës ka  organizuar këtë aktivitet për shkak të kërkesave të shumta nga qytetarët.
“Komuna ka organizuar këtë lloj aktiviteti për shkak të kërkesave të shumta dhe nevojës për të dal për të pastruar rrugët për shkak të sezones dimërorë që karakterizohet me borë dhe me shi edhe me temperatura të ulta. Ky lloj aktiviteti në këtë stinë edhe është shtyrë paksa për shkak të këtyre kushteve që i përmendëm. Por sot është bërë ky aktivitet dhe do të vazhdoj d.m.th në orët e vonshme pas orarit të lëvizjes në mënyrë që të ketë më pak pengesa në qarkullim dhe në mënyrë që të kryhet puna mirë”, tha ai

Menaxheri i mirëmbajtjes së kryeqytetit u shpreh se për të kryer këto pastrime në gjitha rrugët e kryeqytetit, Komuna e Prishtinës ka kontraktuar 6 kompani për mirëmbajtjen e qytetit.

“Komuna e Prishtinës i ka kontraktu 6 kompani për mirëmbajtjen e qytetit secila kompani në motin e vet respektiv ka me vazhdu me bë pastrimin e rrugëve në 6 pjesë të qytetit”, tha ai.

Sipas tij, pastrimi i rrugëve do të ndodhë gjatë gjithë sezonit veror.