Komuna e Skenderajt ndihmon mbi 2000 familje për Fitër Bajram

 

Në prag të festës së Fitër Bajramit, Komuna e Skenderajt në bashkëpunim me donatorë të ndryshëm ka nisur aksionin e shpërndarjes së pakove ushqimore- higjienike si dhe miellit për mbi 2000 familje në nevojë.

Me propozim të kryetarit Bekim Jashari, është marrë vendim që nga buxheti i komunës të përkrahen 1000 familje në nevojë, përfshirë familjet me asistencë sociale dhe ato me gjendje të rënduar ekonomike si pasojë e COVID-19.

Ndërsa nga ndihma e njerëzve të vullnetit të mirë pako ushqimore- higjienike janë dërguar e do të dërgohen edhe tek me shumë se 1000 familje të tjera nevojtare.

Me rastin e shpërndarjes së këtyre pakove, kryetari Jashari u shpreh falënderues ndaj donatorëve që kontribuuan në gëzimin e familjeve me rastin e Fitër Bajramit.

“Meqenëse jemi në prag të Fitër Bajramit, që nga java e kaluar kemi filluar të bëjmë shpërndarjen e mbi 2000 pakove ushqimore për familjet që kanë nevojë për to, ku 1000 familje do të ndihmohen nga buxheti i ndarë nga komuna ndërsa mbi 1000 të tjera nga donatorë, humanistë të ndryshëm, shoqata bamirëse, organizata vendore e ndërkombëtare dhe bashkëkombës nga diaspora jonë e dashur”, tha Jashari.

Përzgjedhja e familjeve përfituese të pakove është bërë nga lista e familjeve në asistencë sociale të cilën e posedon Drejtoria për Mirëqenie Sociale, e po ashtu në bashkëpunim me kryetarët e fshatrave, të cilët kanë parë nga afër dhe kanë raportuar për rastet e familjeve nevojtare.

Shpërndarja e ndihmave po bëhet nga zyrtarët komunalë përmes kryetarëve të fshatrave, të cilët pakot po i dërgojnë te secila familje.

Back to top button