Ibrahimi deklaroi se komunat do ta zbatojnë pakon emergjente sa më mirë

Ibrahimi deklaroi se komunat do ta zbatojnë pakon emergjente sa më mirë

Komunat e Kosovës po zbatojnë vendimin e fundit të Ministrisë së Shëndetësisë me masat kufizuese si qëllim mos përhapjes së Covid-19. Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi tha për Kp se nuk ka asnjë problem me zbatimin e vendimit veçse komunat po kërkojnë fillimin sa më parë të zbatimit të pakos emergjente financiare.

Ibrahimi u shpreh se komunat do të zbatojnë këtë pako të qeverisë sa më mirë që është e mundur.

“Është kërkesë e komunave fillimi i zbatimit të pakos emergjente financiare, është kërkesë e të gjithë komunave që kjo pako të filloi të zbatohet sa më shpejtë që është e mundur. Komunat do të mundohen të zbatojnë këtë pako sa më mirë që është e mundur dhe njëherë përnjëherë nuk kemi ndonjë problem që është ngritë nga komunat që këto masat e fundit të ndërmarra nga qeveria e Kosovës të mos zbatohen”, tha ai.

Ibrahimi tha se nga komunat ka pasur disa kërkesa për qartësimin e disa udhëzimeve që vinë nga niveli qendror.

Ai shtoi se të gjitha kërkesat që marrin nga komunat i dërgojnë në nivel qendror, për të cilat thotë se po marrin përgjigje pozitive.

“Kemi pasur dje një kërkesë që i është adresuar nivelit qendror sa i përket lejimit të punimeve të komunave në investimet në infrastrukturë dhe shërbime të mirëmbajtjes, sepse në masat e reja disa nga këto punime u patën ndaluar, dhe për këto u jemi drejtuar Ministrisë së Shëndetësisë përmes Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal kemi marrë një përgjigje, dhe t ani komunat mund të vazhdojnë me implementimin e projekteve infrastrukturore, mirëpo ato të cilat kanë qenë duke u implementuar”, deklaroi ai.

Komunat e Kosovës një ditë pas vendimit të qeverisë, kishin ankesat e tyre edhe rreth punës së bujqve dhe fermerëve, për t’i lejuar të kryejnë punët në tokat e tyre.

Pastaj niveli nacional ka njoftuar për lehtësirat për bujqit, duke u mundësuar atyre të vazhdojnë punën.