Në çdo fundvit në Kosovë dhjetëra qytetarë përfundojnë në Qendra Emergjente shkaku i lëndimeve të marra nga përdorimi i mjeteve piroteknike.

Njohës i çështjeve të emergjencave dhe njëherësh drejtor ekzekutiv i Qendrës Kërkimore për Politika të Sigurisë (SPRC) Tahir Ahmeti, ka kërkuar nga komunat e Kosovës që gjatë kohës festave, të ndalojnë me urdhëresë për një periudhë të caktuar kohore, përdorimin dhe shitjen e produkteve piroteknike.

“Tani kur jemi në një situatë mjaftë të vështirë, duke u ballafaquar me pandemin botërore Covid-19, nuk do duhej që të shtohej edhe një vatër e re e rrezikimit të shëndetit të qytetarëve të vendit”, ka thënë Tahiri duke shtuar se siguria e qytetarëve duhet të jetë primare.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka njoftuar se rreth 100 persona lëndohen nga mjetet piroteknike për çdo festë.

Përndryshe, Komuna e Prishtinës ka nxjerr një urdhëresë përmes së cilës ndalohet përdorimi i mjeteve piroteknike në vende të hapura publike deri më 3 janar 2021./21Media