Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, për nder të Ditës Kombëtare të Egjiptianëve në Kosovë, ka pritur sot një delegacion të komunitetit egjiptian të kryesuar nga deputeti Veton Berisha.

Kreu i vendit me këtë rast tha se çdo komunitet duhet të përkrahet në ruajtjen dhe forcimin e identitetit të vet.

Ai tha se duhet të bëhet më shumë për krijimin e kushteve sa më gjithëpërfshirëse të integrimit dhe punësimit të të gjithë pjesëtarëve të komuniteteve në shoqërinë kosovare.

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga komuniteti egjiptian, Veton Berisha, theksoi se Kosova ka krijuar bazë të lakmueshme ligjore, ku parashihen të drejta të shumta për komunitetet, por në praktikë po hasin në shumë vështirësi.

Duke e falënderuar presidentin Thaçi për përkrahjen e komunitetit egjiptian, deputeti Berisha kërkoi angazhim edhe më të madh për promovimin e të drejtave të komunitetit egjiptian në Kosovë.

Thaçi u shpreh mirënjohës për kontributin e komunitetit egjiptian në Kosovë./21Media