Koncerte e ahengje të shumta, sa këngëtarë kanë paguar tatim gjatë këtij viti?

Shumë koncerte, mbrëmje muzikore dhe ahengje të ndryshme familjare për këngëtarët e estradës kosovare ka pasur edhe gjatë këtij viti. Por, sa prej tyre paguajnë tatim ndaj shtetit?
Për portalin rtv21.tv, Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka bërë të ditur se nga janari i këtij viti deri në muajin korrik tatim ndaj shtetit kanë paguar 397 këngëtarë, në të cilin mund të jenë të përfshirë edhe profesionist të tjerë nga kjo fushë.
Duke u bazuar në kodin e regjistrimit vlera e pagesës së tatimit nga këngëtarët gjatë këtij viti sipas ATK-së, është rreth 400 mijë euro.
“Numri i këngëtareve sipas kodit të regjistrimit (në të cilin mund të jenë të përfshirë edhe profesionist të tjerë nga kjo fushë) të cilët kanë paguar tatimet për periudhën janar-korrik 2022 është 397, me vlerë të pagesës rreth 400 mijë euro”, thuhet në përgjigjen e ATK-së për rtv21.tv.
ATK tutje ka shtuar se ka raste ku një këngëtarë që është konsideruar me emër dhe reputacion në estradën kosovare ka bërë deklarim 400-500 euro në një ndejë ose aheng.
Numër i konsiderueshme i kësaj kategorie të tatimpaguesve, sipas ATK-së janë me status të bizneseve individuale, ku totalin e të ardhurave e kanë të obliguar ta bëjnë deri me 31 mars të vitit vijues.
ATK ka folur për problemet që has gjatë punës me këtë industri.
“Ndër problemet më specifike, të dala nga sistemet dhe modulet e ndërtuara përbrenda ATK-së, të cilat kanë kontribuar në këtë përzgjedhje të trajtimit të kësaj industrie janë: pagesa përgjithësisht të ulëta, me një kontribut të vogël në të hyra, pavarësisht numrit të madh të tyre; mos-deklarimi i punëtorëve dhe pagesa cash e tyre; mos-deklarimi apo nën-deklarimi i ahengjeve dhe mos-mbajtja e evidencave lidhur me këngëtarët gjatë mbrëmjeve muzikore; mos-lëshimi i kuponëve fiskal; pagesat po ashtu në Cash të realizuara në mes të konsumatorëve dhe bizneseve gjatë organizimit të ahengjeve të ndryshme; si dhe mos mbajtja e tatimit në qira apo nën-deklarimi i saj”, thuhet në përgjigjen e ATK-së./21Media

Back to top button