Avokati Tomë Gashi sot informoi se është konfirmuar aktakuza ndaj kryetarit dhe nënkryetarit të OVL-së së UÇK-së, Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt.

Sipas Gashit, aktakuza përmbanë 4 pika, të cilat sipas Prokurorisë Speciale në Hagë kanë të bëjnë me pengim të drejtësisë e me akuza konkrete, që sipas tyre ndërlidhen me periudhen kohore në mes të datave 7 deri 25 shtator të këtij viti.

“Nasim Haradinaj dhe Hysni Gucati, nga data 25 shtator 2020 deri me sot e kanë konsideruar vehten të kidnapuar nga Gjykata Speciale!  Nasim Haradinajt dhe Hysni Gucatit sot i është dorëzuar aktakuza e konfimuar nga gjyqtari i procedures paraprake, dhe tani pritet dalja e tyre para gjyqtarit në seancat e radhës.”, bëri të ditur Gashi përmes një postimi në facebook.

Ai ka shtuar se kryetari dhe nënkryetari i OVL të UÇK-së, dhe unë në cilësinë e avokatit të OVL të UÇK-së nuk e pranojmë këtë Gjykatë, siç e quajti ai “një etnike, raciste, tepër e dëmshme për kombin tonë Shqipetar dhe për shtetin e pavarur të Kosovës.”.

“Për veprat penale të konfirmuara ne kete aktakuze nuk eshte fare kompetente Gjykata Speciale ne Hage. Nese prokuroria pranë Gjykatës Speciale në Hagë ka prova kundër Nasim Haradinajt dhe Hysni Gucatit, rastin duhet ta dërgoj në Gjykatat e Republikës së Kosovës, por si mund ta bëjë këtë Prokuroria Speciale në Hagë, dhe Gjykata Speciale në Hagë, kur Republiken e Kosoves që i ka formuar këto institucione nuk e njohin si shtet të pavarur.”, shkroi më tutje Gashi.

Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucai është arrestuar më 25 shtator në zyrat e OVL-UÇK, nga Zyra e Prokurorit të Specializuar. Për Gucatin ka pasur një fletarrestim dhe urdhër për transferim të lëshuar nga një gjykatës i Dhomave të Specializuara.

Nënkryetari i OVL-së së UÇK-së, Nasim Haradinaj është arrestuar më 25 shtator nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në bazë të një fletarrestimi dhe urdhri për transferim, të lëshuara nga një gjykatës i Dhomave të Specializuara të Kosovës./21Media