Shefi i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Rexhep Selimi, ka bërë të ditur se i është  konfirmuar një aktakuzë ndaj tij nga Dhomat e Specializuara.

Nëpërmjet një shkrimi në Facebook, Selimi bëri të ditur se nëser do të udhëtoj për Hagë.

“Sonte në orët e mbrëmjes jam njoftuar nga Dhomat e Specializuara se ka një aktakuzë të konfirmuar për mua. Prandaj, po e ndjej për obligim t’ju njoftoj se nesër do të udhëtoj për Hagë (Holandë) që të përballem me këtë sfidë që i është vënë Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, para së gjithash“, ka shkruar Selimi.

Tutje ai ka thënë se “do të shkoj me kokën lart dhe kurdo që kthehem do kthehem po ashtu me kokën lart sepse isha, jam dhe do të jem ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për të cilën jam i gatshëm të jap gjithçka nga vetja ime. Ideali i asaj ushtrie të lavdishme është mbi mua, mbi këdo, mbi gjithçka“.

Selimi ka shtuar se gjithmonë ka ditur ta mbroj lirinë e popullit, shtetin e Kosovës dhe UÇK-në e lavdishme.

Mirë u takofshim në fitoren e Ushtrisë Çlitimtare të Kosovës!“, ka përfunduar ai.

Kujtojmë se Specialja sot ka arrestuar ish-eprori i lartë i UÇK-së, Jakup Krasniqi, i cili është dërguar në Hagë./21Media