Konfirmohet edhe viktima e tretë nga Kosova në aksidentin në punishten në Vjenë

(Lajm i përditësuar)


Konfirmohet edhe viktima e tretë nga Kosova në aksidentin në punishten në Vjenë

Ambasada e Kosovës në Austri ka konfirmuar edhe viktimën e tretë nga aksidenti tragjik në një punishte në distriktin Alsergrund të martën.

Bëhet fjalë për Istref Zekajn.

Ambasada ka thënë se është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet austriake dhe familjarët e viktimave për të ofruar mbështetjen e nevojshme për procedurat.

Më herët, Ambasada konfirmoi se në rast kanë humbur jetën edhe Pajtim Bajrami e Asllan Musliu.

“Ambasada e Republikës së Kosovës në Austri është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet austriake, si dhe me familjarët e viktimave, me qëllim të ofrimit të mbështetjes së nevojshme dhe koordinimit të mëtejmë për të gjitha procedurat përkatëse. Në këto momente të rënda, shprehim edhe njëherë ngushëllimet tona më të sinqerta për familjet e viktimave. Do të vazhdojme të ju mbajmë të informuar për çdo zhvillim të mëtejshëm lidhur me këtë rast”, thuhet në njoftimin e Ambasadës.


Ambasada e Kosovës: Deri më tani është konfirmuar se dy nga viktimat në Vjenë janë shtetas të Kosovës

Amabsada e Kosovës në Austri ka njoftuar se deri më tash ka konfirmuar zyrtarisht se dy nga viktimat në aksidentin në kantierin e ndërtimit në Vjenë janë me shtetësi nga Kosova.

Ambasada në postim në Facebook ka thënë se është në komunikim të vazhdueshëm me autoritetet austriake.

“Ambasada e Republikës së Kosovës në Austri informon opinionin publik se sot, në Vjenë, ka ndodhur një aksident i rëndë në një kantier ndërtimi, ku për pasojë kanë humbur jetën disa persona. Sipas të dhënave zyrtare nga autoritetet austriake, ngjarja ka ndodhur në distriktin Alsergrund gjatë punimeve ndërtimore, kur një pjesë e konstruksionit është shembur, duke lënë punëtorë të bllokuar nën rrënoja. Deri më tani, është konfirmuar zyrtarisht se dy nga viktimat janë shtetas të Republikës së Kosovës: Pajtim Bajrami (1990), Asllan Musliu (1977) Ambasada e Republikës së Kosovës në Austri shpreh dhimbjen e thellë dhe ngushëllimet më të sinqerta për familjet e viktimave, si dhe për të gjithë ata që janë prekur nga kjo tragjedi”, është shkruar në postimin e Ambasadës në Facebook.

Në aksidentin e ndodhur pas orës 14:00 në Vjenë të martën humbën jetën katër persona, ndërsa një tjetër u lëndua rëndë, kur një strukturë betoni u shemb dhe rrëzoi skelet.

Kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, në një postim në Facebook të martën ngushëlloi familjen Bajrami nga Klina e Poshtme si dhe shprehu ngushëllime edhe “për familjet e tre bashkëkombasve tjerë që humbën jetën në këtë tragjedi”. Po ashtu edhe nga një familjarë i njërit prej viktimave u tha në një postim në Facebook se në aksident humbën jetën katër shtetas të Kosovës.


Katër shqiptarë nga Kosova dyshohet se humbën jetën në një kantier ndërtimi në Vjenë

Katër shqiptarë nga Kosova dyshohet se kanë humbur jetën në një kantier ndërtimi në Vjenë, nga rrëzimi i skelave. Kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, ka ngushëlluar familjet e viktimave.

Lushtaku në një postim në Facebook ka njoftuar se një nga të vdekurit është nga Klina e Poshtme, ndërsa ka ngushëlluar edhe familjet e tre bashkëkombasve tjerë që humbën jetën në tragjedi.

“Me dhimbje të thellë mora lajmin për ndarjen tragjike nga jeta të bashkëkombasit tonë, Pajtim Bajrami nga Klina e Poshtme, i cili humbi jetën në vendin e punës në Vjenë të Austrisë. Kjo humbje e rëndë na prek të gjithëve duke lënë pas një boshllëk të madh në familje, shoqëri dhe te të gjithë ata që e njohën. Ngushëllimet më të sinqerta i shpreh familjes Bajrami, si dhe familjeve të tre bashkëkombasve të tjerë që humbën jetën po në këtë tragjedi. Ndajmë dhimbjen me ju në këto momente të rënda!” – ka shkruar Lushtaku në Facebook.

Për tragjedinë kanë njoftuar edhe familjarët.

“Me dhimbje të thellë morëm lajmin për humbjen e jetës së djalit të axhës Pajtim Bajrami, i cili humbi jetën në vendin e punës në Vjenë të Austrisë me 3 shokët e tij nga Kosova”, ka shkruar Osman Bajrami në Facebook.

Back to top button