Konfiskohen 82 kilogramë substancë narkotike, arrestohen 6 persona

 
Policia sot ka bërë të ditur se në bashkëpunim me Prokurorinë Shtetit, konkretisht Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë, njësia në Prishtinë, kanë realizuar një operacion policor në rajonin e Prishtinës dhe të Gjilanit, i cili ka rezultuar me arrestimin e gjashtë personave, të cilët janë dërguar në mbajtje për 48 orë.
Siç ka informuar policia, gjatë kontrollit janë gjetur dhe konfiskuar 82 kilogramë e 914 gramë marihuanë, 100 paketime të barnave të kontrabanduara, me peshë prej 100 kilogramëve e 180 gramëve, 1 pushkë gjuetie me 35 predha (fishekë) si dhe dy qese najloni të mbushura me barot dhe sfera për municion të armës së gjuetisë, 1 armë e gjatë ‘AK- 47’ me një karikator, 1 revole ‘TT’ me një karikator dhe 6 predha (fishekë), 1 dylbi e armës së gjatë, 174 predha (fishekë), 5 vetura të ndryshme, 15.774,50 € , si dhe 20  franga zvicerane, barna të llojeve të ndryshme.
”Arrestimi i personave të dyshuar është bërë mbi dyshimin e bazuar për përfshirje në veprat penale ”Blerja ,posedimi shitja dhe shpërndarja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”, ”Mbajtja nën kontroll dhe shfrytëzim i paautorizuar i armëve”, ”Prodhimi dhe shpërndarja e produkteve të dëmshme mjekësore dhe pa banderolë” si dhe ”Shmangia nga pagesat e detyrueshme doganore ose tarifave akcizore”. Me urdhër të prokurorit kompetent është bërë edhe kontrollimi i katër lokacioneve, prej tyre dy banesa të banimit, njëra në Prishtinë dhe tjetra në Fushë Kosovë, si dhe dy shtëpi në Gjilan së bashku me një objekt përcjellës, të cilat dyshohet se grupi në fjalë i kanë përdorur për fshehje, shitje dhe shpërndarje të narkotikëve, si dhe për kontrabandë të barnave me origjinë të dyshimtë”, është bërë e ditur në komunikatë./21Media

Back to top button