Konjufca bën homazhe në Rezallë: Serbia do të përbëjë gjithnjë shtetin e zhytur në krimin e përbindshëm

(Lajm i përditësuar)


Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka bërë homazhe në Rezallë, në përvjetorin e 25-të të masakrës që ndodhi atje.

Këtë e ka bërë të ditur përmes një postimi në Facebook, ku ka kujtuar 98 shqiptarët e vrarë nga policia dhe ushtria okupatore serbe.

Ai thotë se Serbisë i kanë ndryshuar rrethanat, por jo mendësia. Pa e ndryshuar mendësinë dhe pa u përballur me krimet e veta, përballë nesh ajo do të përbëjë gjithnjë shtetin e zhytur në krimin e përbindshëm dhe kërcënim të vazhdueshëm.


Kurti për masakrën e Rezallës: E vërteta e krimeve të Serbisë s’mund të mbulohet nga dheu i varrezave masive

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në përvjetorin e 25-të të Masakrës së Rezallës, ka thënë se drejtësia vendore duhet pa vonesë dhe me ngulm të veprojë, që përgjegjësit, urdhërdhënësit dhe ekzekutorët, të gjykohen e të dënohen.

“Në Rezallë të Skënderajit, 98 burra dhe djem u pushkatuan vetëm për shkak se ishin shqiptarë. Të shtënat kishin zgjatur 30 minuta. Pas ekzekutimit mizor e barbarë më 5 prill 1999, forcat e armatosura të Serbisë ua rrëmbyen kufomat. 29 prej tyre janë gjetur në varrezën masive në Rudnicë të Rashkës, në Serbi. Nga Kizhevaku i Serbisë, më 30 shtator 2021, na u kthyen në Kosovë eshtrat e shtatë prej të vrarëve në këtë masakër. Mes tyre ishin edhe dy ribashkime me eshtrat e zhvarrosura vite më parë nga varreza masive në Rudnicë të Serbisë. Andaj, sot e gjithnjë u bëj thirrje partnerëve ndërkombëtarë që nga Serbia, si përgjegjëse për vrasjen dhe zhdukjen e të dashurve tonë, të kërkojnë zbardhjen e plotë të fatit të tyre dhe drejtësi për viktimat dhe familjet. Drejtësia vendore duhet pa vonesë dhe me ngulm të veprojë, që përgjegjësit, urdhërdhënësit dhe ekzekutorët, të gjykohen e të dënohen”, ka shkruar Kurti.

Tutje ai përmes një postimi në “Facebook” ka thënë se e vërteta e krimeve të Serbisë në Kosovë nuk mund të mbulohet nga dheu i varrezave masive.

“Nuk mund të lejojmë harresën të mbulojë mizoritë që ndodhën në luftë.
Duke nderuar të kaluarën, me drejtësi për viktimat, angazhohemi për të ardhmen e Republikës sonë. Për Kosovën e pavarur, ku brezat e rinj rriten të lirë e të sigurt. Duke mësuar nga e kaluara, ecim përpara me shpresë dhe vendosmëri. Përkujtimi ynë është dëshmi e përkushtimit për të mos harruar sakrificat për të shtrenjtën e shenjtën liri. I përjetshëm qoftë kujtimi i martirëve të kombit nga Rezalla! Lavdi!”, ka shkruar kryeministri./21Media


Osmani kujton Masakrën e Rezallës: Sjellja para drejtësisë e autorëve të krimit është e domosdoshme

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në përvjetorin e 25-të të Masakrës së Rezallës, ka thënë se sjellja para drejtësisë e autorëve të krimit është e domosdoshme.

Ajo tha se më 5 prill të vitit 1999, forcat serbe rrethuan shtëpitë e fshatit Rezallë dhe në mënyrë mizore vranë 98 djem e burra.

“Forca të regjimit gjenocidal të Serbisë, më 5 prill të vitit 1999 rrethuan shtëpitë e fshatit Rezallë dhe në mënyrë mizore vranë 98 djem e burra. Eshtrat e 44 të vrarëve janë gjetur disa vite më pas në Rudnicë të Rashkës. Regjimi kriminal serb kreu krime të tilla makabër kudo nëpër Kosovë, ndaj sjellja para drejtësisë e autorëve të krimit është e nevojshme dhe e domosdoshme. Drejtësi për viktimat dhe kujtim i përhershëm për to. Qoftë i përhershëm kujtimi për të gjithë të rënët për liri”, ka thënë ajo./21Media

Back to top button