​Konjufca ia kujton Daçiqit fushatën e çnjohjeve, Ukshin Hotin e mijëra të zhdukur

​Konjufca ia kujton Daçiqit fushatën e çnjohjeve, Ukshin Hotin e mijëra të zhdukur

Ministri i Jashtëm, Glauk Konjufca është përballur sot me ministrin e jashtëm serb, Ivica Daqiq, në komunikimin në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Aty, Konjufca ka përmendur fushatën e egër të Serbisë në krye me Daçiq në tërheqjen e njohjeve për Kosovën, nga shtetet anëtare të OKB-së. Në fjalimin e tij, Konjufca ka theksuar që Pavarësia e Kosovës është faktor i paqes dhe stabilitetit në rajon.

Me video paraqitje, siç edhe u mbajt ky takim sot, Konjufca duke përmendur që disa shtete anëtare nuk e njohin ende Pavarësinë e Kosovës, u bëri thirrje të gjithëve që të bëjnë atë. Ai tha se në këtë mënyrë do të respektonin vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe do të mbështesnin paqen në rajon.

“Disa nga shtet që janë pjesë e OKB-së nuk e kanë njohur shtetin e Kosovës mirëpo shumica e kanë njoftuar andaj ju inkurajoj që ta njohin shtetin e Kosovës për ta mbështetur paqen në rajon. Nuk ka qenë Kosova ajo që e ka ngritur çështjen e pavarësisë së Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare, ka qenë Serbia që e kanë ngritur këtë çështje dhe është hipokrite që të mos respektohet”, ka thënë Konjufca.

Konjufca tha se marrëdhëniet e vështira me Serbinë mund të përmirësohen vetëm me dialog të sinqertë dhe të barabartë.

“Marrëdhëniet e shtetit tonë me Serbinë vazhdojnë të jenë të vështira, qeveria është e bindur që mardhëniet mund të përmirësohen vetëm me dialog të sinqertë e të barabartë. Për të krijuar një mjedis të tillë, qeveria ka vendosur të tërheq tarifën qind për qind, kemi marrë hapa gradual të reciprocitetit për të adresuar barriera tarifore që Serbia i ka bërë për mallrat tona. Serbia duhet t’i ulë barrierat”, tha ministri Konjufca.

Ndër të tjera, Konjufca ka thënë se rezoluta 1244 në Këshillin e Sigurimit ka pasur qëllim ndaljen e spastrimit etnik të popullit të Kosovës nga Serbia. Sipas tij, tani është një periudhë tjetër kohore dhe UNMIK duhet të përfundojë mandatin e tij.

Ministri i Jashtëm përmendi të zhdukurit në Kosovë, profesor Ukshin Hotin dhe mijëra gra të dhunuara nga serbët gjatë luftës në Kosovë, për çka edhe kërkoi drejtësi.  Ai po ashtu ka folur edhe për fushatën e Ivica Daçiq për çnjohjen e pavarësisë së Kosovë.

“Ivica Daciq ka pasur një fushatë ku ka shkuar te shtetet që e kanë njohur Kosovën dhe i ka mashtruar ato lidhur me neve. Daçiq po shkon te disa shtete, me mashtrime. Ne kemi kërkuar nga ai të ndërpresë këtë fushatë”, deklaroi ai.

Konjufca tha se Pavarësia e Kosovës është faktori i paqes dhe stabiliteti në rajon.