Konjufca: Izolimi i ish-krerëve të UÇK-së pa filluar gjykimi, diçka nuk është në rregull

Kryetari i Parlamentit të Kosovës, Glauk Konjufca e ka quajtur të padrejtë mbajtjen në paraburgim të ish-krerëve të UÇK-së, çka sipas tij procesi është i zgjatur. Sipas Konjufcës, gjatë fazës paraprake të akuzuarit kanë mundur të qëndrojnë në liri.
Kështu është deklaruar ai, derisa ka marrë pjesë në hapjen e ekspozitës së Rexhep Selimit.
“Po quhet një proces gjyqësor por gjykimi nuk ka filluar ende, u zgjatë shumë me të vërtet, unë e kam shprehur shqetësimin dhe pakënaqësinë time pse kjo po ndodh, kanë kaluar më shumë se 2 vite dhe nuk po fillon gjykimi, është e pashpjegueshme dhe e padrejtë njëjtën kohë sepse unë mendoj që po shkelen të drejtat e njeriut, të tyre. Ata faktikisht deri tash kishin mujt me u mbrojt në liri dhe kur të fillonte gjykimi gjykata mund ta rivlerësonte edhe një herë dhe të rishqyrtonte çështjen e mbajtjes së tyre, po me vet faktin që kjo nuk po ndodh dhe e kemi izolim të tyre që dy vite pa filluar gjykimi kjo tregon që diçka nuk është në rregull”, ka thënë Konjufca.
Ai ka thënë se ky proces duhet të përfundojë sa më shpejt dhe të vërtetohet lufta e pastër çlirimtare.
“Urojmë që ky proces sa më shpejtë të përfundojë e të del në shesh ajo që faktikisht në shesh ka qenë gjatë gjithë kohës që është e vërteta për luftën tonë të drejtë. Që lufta jonë ka qenë popullore, mbrojtëse, çlirimtare dhe ka qenë e drejtë dhe e pastër, agresori dihet kush ka qenë, ka qenë Serbia e cila ka shkruar gjenocid mbi popullin tonë”, ka thënë ai.

Back to top button