Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca sot bëri homazhe dhe vendosi lule në memorialin e të rënëve në fshatin Hallaq të Lipjanit.

Duke çmuar lart sakrificën sublime të të rënëve të kësaj ane, si dhe luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Konjufca theksoi se ditët si këto janë ditë dhembjeje, por edhe krenarie njëkohësisht. “Dëshmorët dhe martirët i dhanë Kosovës më të shtrenjtën e tyre, jetën, dhe gjaku i tyre është gurthemel i lirisë dhe shtetit tonë të pavarur. Nderimi, respekti dhe kujtimi për të rënët do të jetë i përgjithmonshëm.”, tha ai.

Konjufca, siç u informua përmes komunikatës, u shpreh se institucionet e Kosovës do të angazhohen me të gjitha kapacitetet për zbardhjen dhe ndëshkimin e të gjitha krimeve të Serbisë, të kryera në Kosovë.

Ndryshe, gjatë ditës, Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsion, ka votuar ndryshimet e tri neneve të Kodit të Procedurës Penale për lehtësimin e zbatimit të Ligjit për Gjykimin në mungesë nga ana e Prokurorisë.​/21Media