Konjufca ngushëllon familjen Bogujevci

 

 

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca ka ngushëlluar familjen Bogujevci me rastin e ndarjes nga jeta të ikonës së muzikës shqiptare, Ismet Bogujevci.

Konjufca përmes një telegrami ka treguar se me dhimbje e ka marrë lajmin për ndarjen nga jeta të ikonës së muzikës shqiptare.

”Ndarja nga jeta e zërit që e deshëm aq shumë, do ta lë një zbrazëti të pakompensueshme tek të gjithë ne që u rritëm me këngën e tij. Madhështia e tij artistike bëri që Ismet Bogujevci të ishte këngëtar i dashur për shumë breza. Në vitet e ’80-ta, kohëra të stuhishme të kthesave të mëdha në Kosovë, me artin dhe këngët e tij patriotike, Ismeti ishte frymëzim për popullin tonë liridashës, e sidomos për rininë studentore”, ka shkruar Kryepalamentari.
Sipas Konjufcës, Ismet Bogujevci do të jetë i paharruar me shpirtin e tij artistik e fisnik, si dhe me trashëgiminë që ka lënë pas dhe pse nuk do të jetë i pranishëm fizikisht.

”Ismet Bogujevci do të jetë përherë në kujtimet tona me veprën e tij të pamohueshme e të pashlyeshme artistike, si një rrugë e sigurt e vlerave e shtruar me kujdes e pasion të fortë për brezat e ardhshëm. Bashkëndjejmë dhimbjen e madhe me familjen e nderuar Bogujevci, miqtë, bashkëpunëtorët dhe mbarë komunitetin artistik. Ngushëllime! – thuhet në telegramin e kryekuvendarit Konjufca”, ka shkruar tutje Konjufca.

Ndryshe, Ismet Bogujevci prej dekadash ka qenë pjesë e Ansamblit Kombëtar ”Shota”. Ai ka interpretuar një mori këngësh të famshme, si dhe ka pasur shumë bashkëpunime. Ndër to mund të përmendim: ”Një lulishte”, ”Kënga e Jemenit”, ”Sillma erën e malit”, etj./21Media

Back to top button