Një ndër hapat e radhës që do të ndërmarrë Konjufca

Një ndër hapat e radhës që do të ndërmarrë Konjufca

Ministri i punëve të jashtme, Glauk Konjufca ka propozuar shkarkimin e shtatë ambasadorëve politik, përfshirë edhe Vlora Çitakun. Konjufca derisa thotë se do të vendosë rregull dhe ligj në ministrinë që drejton, tha se një ndër hapat e radhës është edhe kërkesa për kthimin e ambasadorëve politik që e kanë përfunduar mandatin 4 vjeçar të paraparë sipas ligjeve në fuqi të Republikës se Kosovës.

“Duke u bazuar në nenin 93, pika 8 dhe nenin 84 pika 25 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, si dhe nenin 13 të Ligjit nr.03/L-122 për Shërbimin e Jashtëm të Republikës së Kosovës (GZ. Nr 46/15 janar 2009) dhe bazuar në nenin 10 (paragrafi 9) të Rregullores për Shërbimin e Jashtëm dhe me qëllim të respektimit të nenit 7,7 të Ligjit Nr.03/L-207 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr.03/L-044 për Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Shërbimin Diplomatik të Republikës së Kosovës,( GZ.76, 10 gusht 2010), në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, propozoj tërheqjen nga misioni të këtyre ambasadorëve politik :

Znj. Vlora Çitaku
Z. Edon Cana
Z. Lirim Grejçevci
Z. Shpend Kallaba
Znj. Mimoza Ahmetaj
Z. Ylber Hysa
Z. Ramadan Avdiu”, shkroi Konjufca në Facebook.

Dy javë më parë Konjufca ka marrë vendim për shkarkimin e 12 konsujve./21Media