Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca priti sot në takim Shefin e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), Lars-Gunnar Wigemark, i cili e uroi kryekuvendarin Konjufca për detyrën e të parit të Kuvendit.

Siç informoi Kuvendi, Wigemark rikonfirmoi gatishmërinë e misionit të EULEX-it për ndihmë në fushën e sundimit të ligjit brenda kompetencave të këtij misioni.

Ndërsa, Konjufca falënderoi për urimin Wigemark dhe u shprehur mirënjohës për ndihmën që ka dhënë EULEX-i në konsolidimin e sistemit të drejtësisë, si dhe fuqizimin e sundimit të ligjit në Kosovë, si një element kryesor drejt integrimit evropian por edhe si një prej prioriteteve të institucioneve të shtetit tonë.

Konjufca vlerësoi se stabiliteti politik dhe zbatimi i ligjit janë çështje kruciale të cilat determinojnë dinamikën e zbatimit të agjendës parlamentare të miratimit të ligjeve, si dhe atë të institucioneve tjera publike.

Bashkëbiseduesit diskutuan po ashtu lidhur me mandatin e EULEX-it dhe çështjet parësore të misionit të tij, si dhe shprehën gatishmërinë për bashkëpunim të ndërsjellë ndërmjet Kuvendit dhe EULEX-it në avancimin e legjislacionit dhe sundimit të ligjit në vend.