Konjufca tha se Kuvendi i Kosovës ka qenë shembull i përfaqësimit gjinor

Në Forumin për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, sot u kërkua që roli i parlamenteve të jetë më i madh në avancimin dhe respektimin e të drejtave të grave. Legjislativi u tha se duhet të jetë edhe ekspozim i zërit të grave dhe vendimmarrjes së tyre politike, pasi vetëm në këtë formë ngritet sistemi për gratë në politikë.
Në kuadër të panelit për diskutim, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca tha se institucioni që udhëheq është shembull i mirë për përfaqësimin gjinor.
“Kuvendi i Kosovës që nga themelimi ka qenë një shembull i mirë do të thoja për përfaqësimin gjinor. Të njëjtën kohë, ajo çka nevojitet në shoqërinë tonë është se nuk shohim një efekt nga lartë-poshtë, për zbatimin e agjendave. Në Kuvendin tonë nga 120 deputetë, 42 prej tyre janë gra, ky është një numër solid, mund të ishte 50-50, mirëpo ne kemi kaluar kuotën tonë”, tha ai.
Avancim të mëtutjeshëm të grave kërkoi deputetja në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon.
“Parlamenti Evropian është një ndër vendet më të duhura për ekspozimin e zërit të grave në zemrën politikbërëse, jo vetëm për të folur për çështje sociale, por edhe sa i takon politikës ushtarake. Kemi një grup shumë aktiv që merret me këto çështje në Parlamentin Evropian….fakti që kemi një presidente grua është e rëndësishme që të diskutojë me gra të tjera që edhe gratë ta kenë zërin e tyre në forumin për gra, paqe dhe siguri”, shtoi ajo.
Nga ana tjetër, deputetja në Parlamentin e Shqipërisë, Grinda Duma kërkoi krijimin e sistemeve që ofrojnë mundësi për gratë deputete.
“Duhet të krijojmë sistemin që ofron mundësi për gra deputete, apo gra në politikë që janë aktiviste politike dhe kanë guxim ti shtyjnë gjërat përpara”, tha ajo.
Ndërkohë, deputetja nga parlamenti i Ukrainës, Yevhenia Kranvchuk tregoi sfidat që po përballen pas agresionit rus në Ukrainë.
“Gratë duhet të jenë në tavolinën e negociatave. Tash për tash gratë në Ukrainë janë në këtë tavolinë, por ne jemi në negociata për largimin e rusëve nga toka jonë. Kemi rreth 5 mije gra që kanë kapur armët, rreth 42 mijë që janë aktive në ushtri”, tha ajo.
Forumi për Gratë, Paqen dhe Sigurinë po mbahet sot në Prishtinë, derisa do të vazhdojë edhe nesër.

Back to top button