Glauk Konjufca ka thënë se nga aktakuza ndaj Thaçit e Veselit kishte dy momente që ishin të papritura për të. Ai thotë se një aktakuzë e tillë ka dëmtuar shumë Kosovën, derisa thekson se kjo duket se paska qenë e lidhur krejtësisht me zhvillimet politike.

“Kjo e ka dëmtuar Kosovën për shkak se Zyra e Prokurorit të Specializuar e ka deponuar një aktakuzë ndaj presidentit dhe ndaj Veselit. Nga perspektiva e shtetësisë e dëmton interesin e shtetit tonë për shkak se Thaçi është president. Është dëmtuese. Ishte një deklaratë shtypi, që është diçka e pazakontë. Ajo ishte deponuar më 24 prill, pra ajo paska ndodhur para dy muajve dhe nuk ka pasur lajm. Kjo del se ka qenë e lidhur gjithçka me zhvillimet politike”, ka thënë Konjufca.

Për të janë dy çështje të papritshme nga kjo aktakuzë.

“Dy për mua ishin momentet jashtëzakonisht të papritshme e para që Prokuroria thotë se është e detyruar ta lëshojë këtë deklaratë për shkak të obstrukimeve të Thaçit dhe Veselit. Synon të thotë diçka më shumë se përpjekja për anulimin e Speciales gjatë 2016, sepse duket sikur, fjala që përdoret është në vazhdimësi, njëfarë lloj obstrukimi në vazhdimësi, dhe përdor fjalën sekrete. Dhe e dyta është se për çka ngritet kjo aktakuzë dhe aty njëra prej kategorive që përmendet është edhe çështja e kundërshtarëve politik. Vet mandati i Speciales dhe koha kur ajo e ka fushëveprimin e saj e ka deri në vitin 2000 dhe nënkuptohet sikur Zyra e Prokurorisë Speciale pretendon se ka gjetur diçka edhe në këtë drejtim. Përmenden krimet e luftës, krimet kundër njerëzit, torturat, zhdukja e dhunshme e njerëzve dhe e fundit kundërshtarët politikë”, deklaroi Konjufca në KTV.