Konsiderohet nevojë emergjente, por as në vitin 2023 s’do të ketë sigurime shëndetësore!

Ndonëse janë bërë tetë vjet që kur është miratuar në Kuvend Ligji për Sigurime Shëndetësore, qytetarët e Kosovës ende nuk po e gëzojnë këtë të drejtë.
E një gjë e tillë nga Shoqata e Pacientëve në Kosovë-PRAK , po konsiderohet si neglizhencë e institucioneve për ta përgatitur këtë proces.
“Tjeter aryse është edhe sabotimi i procesit nga akterë të ndryshëm të cilët nuk e kanë me interes fillimin e këtij procesi. Megjithatë, institucionet duhet të veprojnë në mbrojtje të shëndetit dhe jetës së qytetarëve të vendit.”, thonë nga PRAK në një përgjigje për portalin rtv21.tv.
Kjo shoqatë vlerëson se është nevojë emergjente që të funksionalizohen sigurimet në mënyrë që Kosova të sigurojë kujdes shëndetësor universal për të gjithë, pa marr parasysh kushtet financiare dhe ato të sëmundjes së pacientit.
Në anën tjetër, anëtari i Komisionit për Shëndetësi në Kuvendin e Kosovës, Bekim Haxhiu për portalin rtv21.tv bën të ditur as në vitin e ardhshëm qytetarët e Kosovës nuk do të mund të kenë Sigurime Shëndetësore.
“Për Sigurimet Shëndetësore në agjendën legjislative të Qeverisë është planifikuar për fund të vitit 2022. Bazuar në këtë sigurimet shëndetësore nuk do të ketë as në vitin 2023”, thotë ai.
Nga Ministria e Shëndetësisë për portalin rtv21.tv tregojnë se është në proces projektligji për ndryshim të Ligjit për Sigurime dhe sivjet duhet të shkojë në Qeverinë e Kosovës për miratim dhe procedim të mëtejmë pastaj në Kuvendin e Kosovës.
“MSh synon që Projektligji për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Sigurime Shëndetësore, ta dërgojë në afatin e paraparë sivjet në Qeveri dhe pas miratimit të tij edhe në Kuvend të vazhdohet me përgatitjet për implementimin e skemës së sigurimeve shëndetësore publike.”, thuhet në përgjigjen e MSH-së.
Sipas kësaj ministrie Sistemi i Informimit Shëndetësor i cili i paraprin Ligjit për Sigurime Shëndetësorë është duke u implementuar në nivelin e Kujdesit Parësor Shëndetësor dhe në disa segmente edhe në nivele të tjera, si Basic HIS.
“Ndërsa pritet të bëhet një analizë e detajuar për kahjen e mëtejmë të zhvillimit të këtij sistemi, i cili përmes moduleve të tij, i ka dhënë një shtytje të mirë procesit të vaksinimit kundër COVID-19 në Kosovë duke gjeneruar të dhënat e nevojshme, përpunuar ato dhe lehtësuar vaksinimin.”, bëjnë të ditur Ministria e Shëndetësisë.
Mungesa e sigurimeve shëndetësore sipas PRAK po i lë në mëshirën e sëmundjes shumë qytetarë të Kosovës.
“Pasi që një pjesë e madhe e tyre nuk arrijnë t’i mbulojnë me paratë e tyre nevojat shëndetësore. Kjo me theks të veçantë grupet vulnerabile të shoqërisë.”, thonë nga PRAK.
Sipas kësaj shoqate në vitin 2017 në Raportin e Progresit për Kosovën është konstatuar se 18% e qytetarëve të Kosovës nuk kërkojnë fare shërbime shëndetësore për shkak të barrës financiare dhe 34 % e qytetarëve kanë vështirësi në qasje në shërbime, për shkak të barrës financiare.
“Mungesa e sigurimeve shëndetësore në pandemi, e ka rritur shumë barrën financiare të qytetarëve që në shumicën e rasteve ka qenë e pa përballueshme për disa qytetarë. Mungesa e sigurimeve shëndetësore ka edhe një efekt tjeter negativ në funksionmin e sistemit shëndetësor, pasi që është më pak i mbikëqyrur.”, vlerëson Shoqata e Pacientëve në Kosovë.
Ndërkohë një pjesë e qytetarëve të Kosovës po marrin sigurimet shëndetësore përmes kompanive të ndryshme private./21Media

Back to top button