Sulmet fizike në vendet e punës nuk janë të rralla. Edhe sot, në Prizren është shënuar një rast i tillë.

Një punëtor i KEDS-it gjatë kohës sa ishte në detyrë, u sulmua fizikisht nga një konsumator.

Menjëherë pas kësaj, viktima u dërgua për tretman mjekësor, ndërkaq sulmuesi është shoqëruar në stacionin policor.

Lidhur me këtë ka reaguar KEDS, duke iu bërë thirrje konsumatorëve që t’i ndalin sulmet ndaj punëtorëve.

“Raste të tilla të sulmeve agresive ndaj punëtorëve të KEDS janë një dukuri shqetësuese në rritje, që si pasojë po e rrezikojnë jetën dhe shëndetin e punëtorëve të KEDS, e të cilat janë të patolerueshme. Kësisoj, KEDS u bën thirrje konsumatorëve që t’i ndalin sulmet dhe të mos pengohen zyrtarët e kompanisë në kryerjen e detyrave të tyre zyrtare”, thuhet ndër të tjera në komunikatën e lëshuar nga KEDS.

Po ashtu, KEDS kërkon nga organet e drejtësisë  që të trajtojnë me seriozitetin më të lartë secilin rast të pengimit të punëtorëve të kompanisë në kryerjën e detyrave zyrtare dhe të ndërmerren veprime konkrete ligjore që ndihmojnë në parandalimin e këtyre dukurive negative, pasi veprimet e tilla sipas KEDS do të kenë impakt në distribuimin e energjisë elektrike te të gjithë konsumatorët./21Media