“Konsumimi i prodhimeve vendore i rëndësishëm në mbështetje të prodhuesve vendor”

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti me ministrin në detyrë të Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimin, sot priti në takim punë prodhuesit e qumështit të përfaqësuar nëpërmjet, kryetarit të Shoqatës së Prodhuesve të Qumështit të Kosovës, Milazim BerishëS.

Ata e njoftuan Kryeministrin në detyrë z. Kurti dhe ministrin në detyrë z. Bislimi për specifikat dhe kapacitetet e industrisë e të prodhuesit vendor të qumështit. “Kjo industri ka rreth 2500 punëtorë në zinxhirin prodhues, kurse mbi 3000 punëtorë në atë të shpërndarjes. Për fat të keq, kjo është prej industrive më të prekura nga pasojat e COVID-19, për shkak të cilave është duke vepruar vetëm me 30% të kapaciteteve të saj. Përfaqësuesit e prodhuesve të qumështit bënë thirrje për përkrahjen e prodhuesve vendorë duke i konsumuar prodhimet e tyre.”, u bë e ditur në komunikatën e qeverisë.

Kurti siç njoftohet, theksoi se përkrahja e prodhimeve vendore është pjesë integrale e programit të Qeverisë sikurse edhe i zotimeve elektorale, dhe iu bashkëngjit thirrjes për blerjen dhe konsumimin e prodhimeve vendore si parim por edhe si nevojë për mbështetje të prodhuesve vendorë në kohë pandemie. “Mbështetja e këtyre prodhueseve nëpërmjet konsumimit të prodhimeve vendore është shumë e rëndësishme, sidomos në kohë pandemie. Ata do ta kenë vëmendjen e institucioneve Qeverisëse gjatë hartimit dhe zbatimit të pakos së dytë ekonomike, atë të rimëkëmbjes.”, u theksua më tutje në komunikatë.

Gjatë takimit po ashtu u diskutua edhe për format tjera të përkrahjes së prodhuesve vendor nga Qeveria dhe mundësitë e reja që mund të krijohen në tregun e kësaj industrie gjatë dhe pas rimëkëmbjes ekonomike./21Media

Back to top button