Policia e Kosovës mbrëmë (20.05.2020), ka realizuar planin operativ në tri rajone të Kosovës (Prishtinë, Ferizaj dhe Prizren). Sipas njoftimit të policisë, bazuar në informacionet intelegjente dhe nga burimet e hapura, disa lokale të cilat ofrojnë shërbime për masazhe, edhe përkundër ndalimit të ushtrimit të veprimtarisë në këtë kohë pandemie, dyshohej se kanë kryer veprimtarinë e tyre në mënyrë ilegale, duke paraqitur rrezik për shëndetin publik dhe të vet personave pjesëmarrës.

“Bazuar në urdhëresat e prokurorive kompetente janë realizuar kontrolle në: Prishtinë – janë kontrolluar (14) lokacione, prej tyre (6) kanë qenë të hapura, ku janë takuar 23 persona, ndaj të cilëve janë marrë masat e nevojshme ligjore. Ferizaj – objekt kontrolli kanë qenë (3) lokacione, por që kanë qenë të mbyllura, përderisa është kontrolluar edhe një restorant por nuk është vërejtur ndonjë dyshim. Prizren – objekt kontrolli kanë qenë (4) lokacione, prej tyre (2) kanë qenë të hapura, ku janë takuar 12 persona, ndaj të cilëve janë marrë masat e nevojshme ligjore.”, thuhet në njoftimin e policisë.

Sipas njoftimit, në këtë operacion të gjerë policor kanë marrë pjesë njësi të profileve të ndryshme policore, përfshirë edhe inspektor kompetent nga niveli qendror dhe ai lokal./21Media