Kori i Filarmonisë së Kosovës ka mbajtur mbrëmë koncert në Gjilan.

Tema muzikore të përpunuara dhe ngjyrosura nga mjeshtër shqiptar dhe ndërkombëtar, sollën atmosferë të këndshme muzikore, herë-herë me elemente etnike dhe mistike, të cilat u përcollën me duartrokitje të gjata nga publiku gjilanas.

Koncerti u mbajt në sallën koncertale të kolegjit “Don Bosko”, ku kryetari i Komunës, Lutfi Haziri dhe drejtori i Filarmonisë së Kosovës Baki Jashari, premtuan se edhe në të ardhmen do të vazhdojnë bashkëpunimin duke plotësuar kërkesat e audiencës artistike muzikore gjilanase.

Kori u drejtua nga dirigjenti Hajrullah Syla me solistët Ilvije Dragusha, Safet Berisha, Shaban Behrami, Sokol Latifi, Luan Durmishi dhe të përcjellur edhe nga instrumentistët, pianisten Artemida Qarri dhe kitaristin Astrit Stafaj. Koncerti u përmbyll me veprën “Janinës ç’i panë sytë”, përpunuar në frymën e isopolifonisë shqiptare nga kompozitori kosovar Rafet Rudi.

Përkundër interesimit të shtuar, audienca, kësaj radhe për shkak të situatës ishte e reduktuar dhe iu përmbajt rekomandimeve të Ministrisë së Shëndetësisë dhe IKSHPK-së.

Koncerti është mbështetur nga Komuna e Gjilanit./21Media