Tri raste me koronavirus në Prizren

Tri raste me koronavirus në Prizren

Kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka ka bërë të ditur se rasti i tretë i konfirmuar me virusin COVID-19 është me vendbanim në Korishë. Siç bën të ditur ai, për dallim nga rastet tjera ku u konstatua burimi i infektimit, në këtë rast nuk dihet burimi i infektimit. Për këtë arsye është marrë vendimi që Korisha të shpallet zonë karantinë.

“Prandaj me rekomandimin e IKShPK-së për parandalimin e përhapjes së virusit COVID-19, Ministria e Shëndetësisë sot ka nxjerrë vendim që fshati Korishë të shpallet zonë karantinë, nëpërmjet së cilit ndalohen hyrje-daljet dhe ndalohet lëvizja në fshat. Vendimi hyn në fuqi nga sot dhe obligohen të gjithë t’i respektojnë masat. Këto masa janë për parandalim dhe janë për të mirën e të gjithëve, prandaj t’i respektojmë.”, thuhet në shkrimin e Haskukës.

Numri i të prekurve me koronavirus në Kosovë është 126./21Media