Në komunën e Prizrenit deri më tani janë regjistruar tri raste me virusin COVID-19

Në komunën e Prizrenit deri më tani janë regjistruar tri raste me virusin COVID-19

Rasti i tretë u shfaq mbrëmë dhe është nga fshati Korishë. Por shqetësues mbetet fakti se personeli i IKShP-së nuk ka arritur të gjejë përgjigje nga është burimi i infektimit. E për këtë qëllim i tërë fshati Korishë është futur në karantinë.

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, në një intervistë për KP ka bërë të ditur se me rekomandimin e IKShPK-së për parandalimin e përhapjes së virusit COVID-19, Ministria e Shëndetësisë ka nxjerrë vendim që fshati Korishë të shpallet zonë karantinë, nëpërmjet së cilit ndalohen hyrje-daljet dhe ndalohet lëvizja në fshat. “Për shkak të mungesës së historisë së infektimit është marr vendim nga Ministria e Shëndetësisë dhe IKShP-ja që Korisha të shpallet zonë e karantinës. Nga mbrëmë ekipet e policisë janë në hyrje-dalje të fshatit. Unë e kuptoj që paraqet një problem për banorët e këtij fshati, por kjo është një masë e domosdoshme për të mirën e të gjithëve”, thotë Haskuka.

Haskuka ka bërë të ditur se deri më tani nuk kanë pasur probleme sa i përket materialit mbrojtës për personelin mjekësor, por ka shtuar se nëse vazhdon rritja e rasteve, do të hasin në vështirësi.

Ai ka kërkuar nga qytetarët që të qëndrojnë nëpër shtëpitë e tyre dhe të zbatojnë në përpikëri këshillat dhe rekomandimet e institucioneve shëndetësore, pasi që konsideron se kjo është mënyra e vetme për të parandaluar këtë epidemi.

Përvec qytetarëve, Haskuka ka kërkuar edhe nga bizneset që të respektojnë vendimet e qeverisë dhe të mos operojnë pas orës 17:00, ndërsa ato që janë në listën e të mbyllurave të mos tentojnë të ofrojnë shërbime.

Thotë se deri më tani janë evidentuar 5 raste ku operatorët specifikë kanë shkelur masat dhe ndaj tyre është iniciuar procedurë e rregullt.“Masat janë respektuar shumë mirë deri tani. Dua të them se në ditët e kaluara ka pasur arrestime. Vetëm mbrëmë nuk ka pasur asnjë arrestim. Policia e Kosovës është duke e kryer detyrën e tyre. Në përgjithësi bizneset që kanë nevojë për qarkullim janë pajisur me leje për lëvizje nga ana e institucioneve përkatëse. Ndërsa ata që nuk kanë nevojë nuk duhet të dalin pas orës 17. Deri më tani unë marr raporte ditore nga inspektorati dhe policia. Respektimi i masave ka qenë i mirë, por dua të theksoj se në 5 raste operatorët specifikë, pronarët e kafiterive dhe restoranteve përkundër masës janë nisur proceduar ndaj tyre. Kushdo që shkel këto rregulla do të ballafaqohen me drejtësi”, thotë ai.

Mirëpo, Haskuka e pranon se këto masa kanë ndikuar negativisht në aspektin ekonomik dhe se tashmë qytetarët po i vërejnë pasojat.

Shpreson se pakoja emergjente e miratuar nga Qeveria do të zbusë sado pak gjendjen e punëtorëve, teksa tha se edhe si komunë do të ndërmarrin disa masa për të ndihmuar bizneset, por edhe qytetarët në raste të rënda ekonomike.

I pari i Prizrenit bën të ditur se deri më tani kanë ndarë 250 mijë euro, për të përballuar situatën epidemiologjike, ndërsa shtoi se këto ndihma do të vazhdojnë edhe në të ardhmen, pasi që disa projekte që janë pezulluar, mjetet e tyre janë transferuar në masat emergjente. “Deri më tani i kemi ndarë 250 mijë euro për të tejkaluar këtë situatë, por nëse paraqitet nevoja do të ndajmë edhe më shumë. Këtu hyn sigurimi i pakove ushqimore, dezinfektimi, blerja e maskave dhe dorëzave, pro edhe por edhe i pajisjeve të tjera parandaluese për shërbimin primar shëndetësor. Si komunë kemi pasur disa projekte në mallra dhe shërbime por për shkak të zhvillimeve nuk do të kemi mundësi t’i vazhdojmë dhe të gjitha këto fonde i kemi transferuar në këto masa emergjente”, thotë ai.

Ai në fund ka apeluar që të respektohen këshillat e profesionistëve, që qytetarët të qëndrojnë në shtëpi.