Anulohen të gjitha lejet e ngjitjes deri më 30 prill

Anulohen të gjitha lejet e ngjitjes deri më 30 prill

Mali më i lartë në botë Everest është mbyllur për pjesën tjetër të sezonit të ekspeditës, për shkak të shpërthimit të koronavirusit.

Qeveria e Nepalit njoftoi se do t’i anulojë të gjitha lejet e ngjitjes nga 14 marsi deri më 30 prill.

“Kemi vendosur t’i ndalojmë të gjitha vizat turistike deri më 30 prill”, tha Narayan Prasad Bidari, sekretar i Zyrës së Kryeministrit.

Ai gjithashtu i këshilloi të huajt që nuk kanë mundur të shmangin shkuarjen në Nepal nga data 14 mars, të qëndrojnë në karantinë për 14 ditë.

Shumica e alpinistëve në Everest vijnë nga Shtetet e Bashkuara, India, Kina, Britania e Madhe, Japonia dhe Koreja e Jugut dhe janë burim kryesor i të ardhurave për Qeverinë e Nepalit.

Kushdo që dëshiron të ngjitet në Everest duhet t’i paguajë qeverisë 11,000 dollarë.

Shpërthimi i koronavirusit ka bërë që shumë qeveri në botë të mbyllin shkolla, pika turistike, si dhe të anulojnë fluturime.

Koronavirusi, që shkakton sëmundjen COVID-19, ka infektuar mbi 134 mijë njerëz në gjithë botën.

Si pasojë e tij, 4 mijë e 990 persona kanë vdekur.

Rastet e para me koronavirus janë shfaqur në Kinë në muajin dhjetor, ndërsa që atëherë janë përhapur edhe në mbi 100 shtete të botës.

Nga vendet më të goditura në Evropë është Italia, me mbi 12 mijë 400 raste.