Korrupsioni – problem kryesor i Maqedonisë, raporti i Stejt Departamentit publikohet zyrtarisht

Raporti i Stejt Departamentit i cili ishte publikuar dhe më pas u tërhoq, jo vetëm që nuk është korrigjuar, por janë shtuar edhe disa segmente tjera. Edhe pse pushteti vazhdimisht thekson se po përmirësohet në drejtim të parandalimit të krimit dhe korrupsionit, megjithatë në Raportin në fjalë nënvizohet se problem kryesor i Maqedonisë është pikërisht korrupsioni. Edhe pse ka ligje të mira për luftë kundër kësaj dukurie, megjithatë zbatimi i tyre është i dobët dhe selektiv. Janë hapur procedura kundër njerëzve me zë kritik ndaj pushtetit dhe shkelësve më të vegjël, thuhet në Raport.
“Maqedonia e Veriut ka ligje, synimi i të cilave është lufta kundër ryshfetit, keqpërdorimit të detyrës zyrtare, konfliktit të interesave, kurse zyrtarët qeveritarë dhe të afërmit e tyre të ngushtë janë ligjërisht të obliguar t’i publikojnë të ardhurat dhe pronën e tyre. Megjithatë, zbatimi i ligjeve anti-korrupsion për momentin është i dobët, duke i targetuar në mënyrë selektive njerëzit me zë kritik ndaj pushtetit dhe shkelësit e kalibrit të ulët. Ka akuza të besueshme për korrupsion në polici, prokurori, gjyqësor dhe në shumë sektorë të tjerë”, thuhet në raport.
Vërejtje ka edhe në pjesën e të bërit biznes, ku në mënyrë të veçantë përmendet korrupsioni dhe tenderët qeveritarë.
“Shumë biznese që funksionojnë në Maqedoninë e Veriut, përfshirë disa edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e kanë identifikuar korrupsionin si problem në tenderët qeveritarë dhe gjyqësorin”, thuhet më tej në raport.
Nga Kabineti i zëvendëskryeministrit për luftë kundër korrupsionit, Lupço Nikollovski, thonë se me shumë seriozitet do ta shqyrtojnë Raportin, duke shtuar se të gjitha vërejtjet janë të mirëseardhura. Përsërisin se lufta kundër korrupsionit mbetet prioritet i pushtetit.
“Në raportin në fjalë është nënvizuar se kompanitë që veprojnë në Zonat Teknologjike-Industriale kanë përvojë pozitive për investime dhe se kanë krijuar marrëdhënie të mira me përfaqësuesit e Qeverisë. Megjithatë, përmenden edhe disa segmente mbi të cilat duhet punuar. Këto dobësi zgjidhen përmes masave të përfshira në Planin për luftë kundër korrupsionit, me të cilin për momentin punohet edhe në drejtim të përmirësimit të Planit për furnizime publike, përforcimit të kontrollit administrativ në Byronë për Prokurime Publike, si dhe në drejtim të sjelljes së procedurave të brendshme për zbatim të furnizimeve publike në çdo institucion në sistemin e shtetit”, thanë nga Kabineti i Nikollovskit.
Me qëndrim doli edhe partia opozitare VMRO-DPMNE. Raporti i Stejt Departamentit e noton krimin dhe korrupsionin e pushtetit, thonë nga atje.
“Raporti i Stejt Departamentit të SHBA-ve konfirmon se Zoran Zaev dhe Qeveria e tij e kanë çimentuar Maqedoninë në fund. Është notuar: korrupsion, krim, ryshfet i zyrtarëve shtetërorë, selektivitet i drejtësisë dhe keqpërdorim me procedurat ligjore. Partnerët tanë strategjikë paralajmërojmë për keqpërdorim të procedurave të shkurtuara në Kuvend. Kjo është çështje kundër së cilës VMRO-DPMNE vazhdimisht po lufton, por vazhdimisht edhe flet”, vlerësoi Vllado Misajllovski – nënkryetar i VMRO-DPMNE-së.
Reaguan edhe nga Aleanca për shqiptarët.
“Aleanca për Shqiptarët vlerëson si joserioze dhe të papërgjegjshme sjelljen e Qeverisë e cila i trajton me neglizhencë alarmet e këtilla, ndërsa pasojat më të rënda i bartin qytetarët të cilët për çdo ditë braktisin vendin për të ikur nga mungesa e perspektivës dhe korrupsioni i institucioneve të kapura nga pushtetarët aktual”, thanë nga ASh-ja.
Segment pozitiv që përmendet në Raportin në fjalë është puna e Komisionit Antikorrupsion, i cili ka hapur më shumë hetime kundër funksionarëve të lartë. Gjithashtu, nënvizohet se një pjesë e hetimeve, që i ka hapur ish-PPS-ja kanë pasur epilog, hetime këto në të cilat kanë rezultuar me dënime me burg për të akuzuarit./TV21

Back to top button