Duke folur për koordinimin SHBA-BE në procesin e dialogut Kosovë- Serbi deri tek marrëveshja e paqes, ambasadori Philip Kosnett ritheksoi mbështetjen e SHBA-ve për procesin.

“Mendojmë se nuk mund të kemi paqe të qëndrueshme dhe zhvillim ekonomik në këtë rajon nëse çështjet ekonomike dhe ato politike trajtohen ndaras. Ne shumë shpesh në ambasadë diskutojmë për mbështetjen për paqen, drejtësinë dhe prosperitetin, të gjitha këto janë të ndërlidhura. E di që është sfiduese për të pyetur për kohën, metodologjinë dhe çështjet specifike në procesin e dialogut të udhëhequr nga BE-ja, por unë nuk jam adresa për këto pyetje”, tha ai në një online-tryezë me gazetarë kosovarë, organizuar nga ambasada amerikane në Prishtinë.

Ambasadori amerikan Kosnett u shpreh optimist se deri në shtator 2021 mund të kemi rezultate pozitive në implementimin e marrëveshjes së Uashingtonit. Duke theksuar se çështjet ekonomike dhe ato politike nuk mund të trajtohen ndaras ai tha se nuk dëshiron të spekuloj nëse pas një viti Serbia do ta njoh Kosovën.

“Qëllimi përfundimtar i dialogut Kosovë -Serbi është normalizimi i plotë i marrëdhënieve, jo vetëm ekonomike por edhe politike. Por nuk dua të spekuloj se çfarë do të ndodh me 4 shtator 2021. Besoj se të dy qeveritë janë serioze dhe nëse qytetarët e të dyja vendeve do të shohin se po përfitojnë do ta , dhe nëse procesi politik i udhëhequr nga Bruksel arrin një momentum të tillë gjatë vitit, e unë jam optimist se do ta bëjnë, pjesërisht për shkak të progresit në fushën ekonomike, atëherë mund të jemi në pozitë të mrekullueshme për një vit”./21Media