Kosova bëhet anëtare e Koalicionit të Deminimit për Ukrainën

(Lajm i përditësuar)

Kosova bëhet anëtare e Koalicionit të Deminimit për Ukrainën

Ministri i Mbrojtjes në Qeverinë e Republikës së Kosovës, Ejup Maqedonci, ka nënshkruar marrëveshjen e përbashkët me homologun e tij të Lituanisë, Laurynas Kasciunas, sipas të cilës Kosova është zyrtarisht pjesë e Koalicionit të Deminimit për Ukrainën.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Maqedonci tha se Kosova bëri një hap të rëndësishëm në përfaqësimin dhe rolin e saj në sigurinë globale.

Ai njoftoi se ky koalicion ka për qëllim ofrimin e mbështetjes për Ukrainën përmes ofrimit të trajnimit në fushën e deminimit.

“Sot në Bruksel me Ministrin e Mbrojtjes të Lituanisë, Laurynas Kasčiūnas, nënshkruam marrëveshjen e përbashkët sipas të cilës Kosova edhe zyrtarisht është pjesë e Koalicionit të Deminimit për Ukrainën, duke u bërë kësisoj shteti i 17-të anëtar i këtij koalicioni që ka për qëllim ofrimin e mbështetjes për Ukrainën përmes ofrimit të trajnimit në fushën e deminimit, zotim ky që e kemi dhënë si pjesë e Grupit të Kontaktit për Ukrainën, e që është një hap tjetër i ndërmarr nga ana e Kosovës për popullin ukrainas pasi veçse tanimë kemi dorëzuar dy pako mbështetëse ushtarake.


Maqedonci udhëton për në Bruksel për nënshkrimin e marrëveshjes për deminim

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci është nisur për në Bruksel ku do ta nënshkruajmë marrëveshjen e cila e bënë Republikën e Kosovës pjesë të koalicionit të deminimit

“Nga sheshi “Skënderbeu”, ku e festuam 25-vjetorin e çlirimit të Kosovës, u nisa për në Bruksel, ku do ta nënshkruajmë marrëveshjen e cila e bënë Republikën e Kosovës pjesë të koalicionit të deminimit, i cili funksionon në kuadër të Grupit të Kontaktit për Mbrojtje të Ukrainës”, ka shkruar Maqedonci në llogarinë e tij në Facebook.

Ndër tjera, Maqedonci theksoi se FSK po mbështetet me instruktorët e saj programin e trajnimit taktik luftarak për rekrutët ukrainas

“Përveç trajnimeve në fushën e deminimit, FSK po mbështet me instruktorët e saj programin e trajnimit taktik luftarak për rekrutët ukrainas në kuadër të Operacionit shumëkombësh Interflex në Mbretërinë e Bashkuar gjithashtu, Kosova deri më tani ka dërguar në Ukrainë dy pako mbështetëse ushtarake. 25 vite më parë nga sot, NATO hyri në Kosovë, e tani çdo ditë që kalon, Kosova është më afër hyrjes në NATO! Për siguri dhe për paqe, për republikën!”, ka shkruar Maqedonci në Facebook./21Media

Back to top button