Kosova ka rënë sivjet për tetë pozita më poshtë sesa vitin e kaluar, përkatësisht në pozitën e 78, sipas raportit të Reporterëve pa Kufij, sa i takon lirisë së mediave në botë.

Vitin e kaluar, ky vend ishte renditur në vendin e 70-të.

Kosova hyn në grupin e vendeve me situatë problematike të lirisë së shtypit.

“Mediat në Kosovë, sikur në pothuajse në secilin shtet, vazhdojnë të jenë të ndara në linja etnike. Qasja në informacione shpesh është e kufizuar në një grup të veçantë etnik dhe politik, dhe mediat kanë tendencë të fokusohen në çështjet që përbëjnë shqetësim për kombësinë e tyre dhe i mbulojnë ato nga këndvështrimi i tyre”, përmendet në raport.

Aty theksohet po ashtu se gazetarëve serbë nga Serbia u është ndaluar hyrja në Kosovë, me arsyetimin se nuk kanë paralajmëruar paraprakisht autoritetet kosovare.

“Gazetarët në Kosovë dhe mediat janë të ekspozuara ndaj një ambienti armiqësor, që përfshin sulme fizike dhe verbale, sulme kibernetike, presion për censuruar veten dhe mungesë të transparencës për pronësi të mediave. Mediat e brishta financiarisht janë të ndjeshme edhe ndaj ndikimit politik dhe si rezultat i pandemisë, shumë gazeta kanë ndaluar të prodhuari gazeta të shtypura”, është thënë në raport.

Në pjesën për Kosovën është përmendur se pandemia e koronavirusit është përdorur si pretekst për të ndalur redaktoren e portalit KoSSev, Tatjana Llazareviq.

Për fatin e shumë gazetarëve që janë zhdukur, sidomos të atyre gjatë konfliktit të vitit 1999, nuk dihet ende asgjë, është thënë mes tjerash në raport.

Nga vendet e rajonit, Bosnje-Hercegovina është renditur e 58-a në listë, Maqedonia e Veriut 90, Serbia 93 dhe Mali i Zi 104./Rel