Sipas Haxhiut, po përgatitet marrëveshje e keqe për vendin

Sipas Haxhiut, po përgatitet marrëveshje e keqe për vendin

Ministrja në detyrë e drejtësisë, Albulena Haxhiu reagoi pas deklarimit të sotëm të presidentit Thaçi, i cili u shpreh se javën tjetër do të ndërmarrë hapat e fundit kushtetues për formimin e qeverisë së re.

Haxhiu përmes një shkrimi në facebook u shpreh se shteti dhe qytetarët ia kanë parë sherrin Hashim Thaçit, i cili sipas saj, është i gatshëm të bëjë çdo gjë për hirë të vetvetes.

“Presidenti i partive PLAN, bëri paralajmërime që do të ndërmarrë veprime jokushtetuese për formimin e Qeverisë si dhe paraqiti hapur qëndrimin për heqje të reciprocitetit duke e dëmtuar e rënduar edhe më shumë pozicionin e Kosovës. Kosova dhe qytetarët ia kanë parë sherrin këtij njeriu i cili është në gjendje të bëj gjithçka për hir të vetvetes!”, shkroi Haxhiu.

Haxhiu shtoi se po përgatitet marrëveshje e keqe për vendin dhe me plan të keq.

“Qëndrimi i tillë është paralajmërim i hapur se po përgatitet marrëveshje e keqe për vendin dhe e gjithë kjo paraprakisht përmes një plani të keq me qëllim të shkeljes dhe përmbysjes së vullnetit të qytetarëve. 400 mijë vota ndër të tjera kanë qenë edhe për reciprocitet me Serbinë dhe kjo konjukturë dëshiron të shkelë vullnetin, Kushtetutën e vendit dhe të mos pyes sërish se çfarë mendon qytetari.”, shtoi më tutje Haxhiu.

Ndryshe, presidenti Hashim Thaçi sot deklaroi se tarifat dhe reciprociteti duhet të bien për të forcuar përkrahjen e SHBA-së dhe BE-së për Kosovën. Ndërsa, Emisari special i presidentit të SHBA-së, Donald Trump, Richard Grenell i reagoi Thaçit, me ç’rast shkroi se dialogu do të fillojë sapo të hiqet tarifa dhe reciprociteti ndaj Serbisë./21Media